E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat Greke: “Aktor” ka fituar tenderin e tunelit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 22-03-2011 15:03

Në mediat greke, kompania greke “Aktor” pjesëmarrëse në garë bashkë me 6 kompani të tjera, për ndërtimin e tunelit në rrugën e re Tiranë –Elbasan është shpallur fituese. Saiti i lajmeve ekonomike në Greqi, Capital.gr, në një njoftim për mediat në emër të kompanisë “Aktor” bën të ditur, se kompania greke e ndërtimit e ka fituar këtë tender, që është pjesë e një autostradë të re që ka nisur nga ndërtimi në Shqipëri. Capital.gr është shprehur se kompania greke “Aktor” ka dhënë ofertën më ekonomike, prej 59 milionë euro ndër 7 kompanitë e tjera. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka vendosur fillimin e punimeve në tunelin prej 4.2 kilometrash, për të shkurtuar në vetëm 25 minuta distancën ndërmjet qyteteve të Juglindjes me Qendrën e vendit. E gjithë autostrada, prej 31 kilometrash, cilëson saiti grek, do të përfundojë në dy vite, që nga nënshkrimi i kontratës dhe do të lidhë më shpejt qytete si Tirana, Elbasani, Berati dhe Tepelena. Kostoja totale e projektit është 440 milionë euro, ndërkohë që qeveria e Shqipërisë ka marrë një hua prej 247 milionë eurosh nga Banka Islamike e Zhvillimit. Mediat greke njoftojnë se, infrastruktura në Shqipëri ka nevojë për investime urgjente, prandaj dhe Presidenti i “Aktor”, Dimitris Koutras ka takuar verën që shkoi Kryeministrin, Sali Berisha, para se tuneli të përfshihej në proces tenderimi. Në fakt, lajmin se kompania greke “Aktor”, mund të jetë fituese e garës, duke eliminuar kompani të tilla si, Bechtel & Enka dhe Austriakët e Strabag është njoftuar edhe nga burimet brenda Ministrisë së Transportit, para disa ditësh, ku gara për fituesin hyri në fazën finale. Sipas njoftimit për tender të Agjencisë së Prokurimeve Publike thuhet se, fondi limit i ofruar për ndërtimin e kësaj vepre është 110 milionë euro. Përfundimi i punimeve për këtë projekt është parashikuar të jetë 18 muaj pas nënshkrimit të kontratës. Projekti i tunelit në autostradën, Tiranë-Elbasan përmban dy tunele, një me gjatësi 2200 metra dhe një 560 metra. Ndryshe nga rruga e re Durrës-Kukës, e cila kaloi në një proces të gjatë debatesh dhe akuzash në organet e Prokurorisë, për shkak se punimet nisën pa pasur një projekt zbatimi, për rrugën e Elbasanit projekti tashmë është gati qysh në fillim të vitit 2010. Edhe pse ky do të jetë një investim tepër i kushtueshëm i qeverisë, leverdishmëria ekonomike e kësaj rruge për banorët e Tiranës, Elbasanit dhe të zonave ku do të kalojë kjo rrugë, do e justifikojë këtë çmim. Fakti që kjo rrugë do të kalojë në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së saj në zonë urbane, do sjellë mundësi për zhvillim aktiviteti për banorët e zonave. Segmenti i parë prej 2,3 km, i cili është përfshirë në tender, kalon në zonë urbane, duke qenë kështu një impuls zhvillimi ekonomik për zonën. Autostrada Tiranë - Elbasan, e zgjedhur në trajektoren më të shkurtër të saj, ka një rëndësi kapitale për zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik jo vetëm të Elbasanit, por të vendit në tërësi. Kjo autostradë e shndërron Elbasanin në qytetin më të afërt, ose pothuaj në një pjesë integrale të metropolit shqiptar, Tiranës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›