Rama shpall në orën 15.00 strukturën e qeverisë së re
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do t të paraqesë sot në orën 15:00 strukturën e qeverisë së re. Partia Socialiste njoftoi zyrtarisht se Rama do të dalë përpara medias për të publikuar ndarjen e re të ministrive dhe organizimin qeveritar që do të ketë kabineti i tij. Dora e fundit strukturës së qeverisë së re, që Rama do të udhëheqë prej fillimit të shtatorit, duket se i është dhënë në një takim të djeshëm me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Dy krerët e partive të koalicionit të shpallur fitues në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, Edi Rama dhe Ilir Meta, u takuan dje për të koordinuar masat e para të qeverisë së re. Pas takimit të zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili do të jetë drejtuesi i ri i Kuvendit të Shqipërisë, u tregua i rezervuar. Partia Socialiste ka përcaktuar se do të zbatohet ndarja e mandateve mes deputetit dhe anëtarit të Këshillit të Ministrave.