E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohen gjyqtarët

Grupi i ekspertëve deri tani është përqendruar vetëm tek kriteret e përzgjedhjes. Ndërkohë, nuk është bërë asgjë për shqyrtimin e emrave të gjyqtarëve

Sugjerimi i kritereve nga ana e partive politike ka sjellë edhe shtyrjen e shqyrtimit të emrave të gjyqtarëve që kanë aplikuar për të qenë kandidatë për Gjykatën e Lartë. Afati i lënë nga presidenti Bamir Topi për dërgimin e sugjerimeve nga ana e forcave politike, pritet të sjellë edhe diskutime të shumta mes ekspertëve të presidentit, se cilët prej kritereve të propozuara nga partitë politike do të pranohen. I kontaktuar nga “Korrieri”, juristi i njohur Rustem Gjata, i cili është edhe një nga ekspertët e përzgjedhur nga presidenti Topi, thotë se deri tashmë ekspertët nuk kanë diskutuar akoma konkretisht për emrat që janë paraqitur në Presidencë. Ai thotë se diskutimet e fundit janë përqendruar te kriteret, ndërsa nuk preferon të japë komente për kriteret e propozuara deri tani nga ana e forcave politike. Juristi Gjata shpjegon se fillimisht duhet që ekspertët të njihen me të gjithë kriteret e propozuara nga partitë politike, dhe pastaj të diskutojnë se cilët prej tyre mund të futen si kritere përzgjedhëse për emrat që do t’i dërgohen presidentit Bamir Topi, i cili në fund do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare. Ndërkohë, afati i fundit për sugjerimet e partive politike është dita e sotme, ku pritet të nisë edhe diskutimi për kriteret. Pas përcaktimit të kritereve, diskutimi i ekspertëve do të përqendrohet përfundimisht tek emrat e 105 gjyqtarëve që kanë aplikuar dhe do të nisë edhe përzgjedhja e atyre që plotësojnë kriteret, ku më pas presidenti do të japë edhe vendimin përfundimtar. Një ndër kriteret që pritet të sjellë më shumë debate, është ai nëse do të lejohet rikandidimi i pesë dekreteve të rrëzuar fillimisht. Ndërkohë, vetë presidenti u ka lënë ekspertëve një afat kohor prej 10 ditësh, për të “dorëzimin” e emrave që mund të jenë kandidatë për Gjykatën e Lartë. Deri tashmë kanë kaluar 10 ditë që nga mbledhja e parë e grupit të ekspertëve dhe deri tashmë, sikurse bëhet e ditur, emrat e gjyqtarëve aplikues nuk janë marrë akoma në shqyrtim.

Kriteret e sugjeruara nga PD:

 -Kandidatët të mos kenë qenë pjesë e proceseve politike.

-Të mos kenë favorizuar elemente kriminalë.

-Të mos kenë dhënë vendim në konflikt interesi.

-Të bëjnë transparencën e pasurisë.

Kriteret e sugjeruara nga PS

-I garantojnë gjyqësorit juristë me integritet moral.

-Dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës.

-Nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës.

-Kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë.

-I provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve. nga të paktën tre personalitete të shquar të fushës.

Kriteret e sugjeruara nga PAA

-Të mos përfshihen kandidaturat e pesë gjyqtarëve që u rrëzuan pak kohë më parë nga Parlamenti.

-Kandidatët duhet të kenë aftësi dhe kritere profesionale të vërtetuara.

-Të kenë eksperiencë pune pozitive.

-Të kenë bërë deklarimin e pasurive dhe të kenë vërtetuar mënyrën sesi e kanë krijuar pasurinë.

-Kandidatët duhet të jenë figura të kompletuara moralisht.

Partia Republikane

Partia Republikane ka deklaruar për “Korrierin”, se do të dërgojë disa kritere në Presidencë, ndërkohë që dy ditë më parë ekspertët e kësaj partie ishin mbledhur për të diskutuar për kriteret që do të dërgojë PR-ja. Pritet që sot të dorëzohen edhe kriteret e kësaj force politike.

Lëvizja Socialiste për Integrim

Ka deklaruar se do t’i përgjigjet letrës së presidentit dhe do të sugjerojë disa kritere. Megjithatë, akoma nuk është mësuar se çfarë kriteresh do të propozohen nga kjo forcë politike.

Partia Demokristiane

Kjo parti nuk ka sugjeruar ndonjë kriter tek presidenti, duke argumentuar se Kushtetuta e përcakton qartë se cilët janë kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›