Berisha bën konkluzionet e tryezës së Topit: E dështoi Rama
Tryeza e negociatave, organizuar nga Presidenti Bamir Topi, ka përfunduar pa arritur në një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për krizën politike. Përfundimi i kësaj tryeze u la të kuptohej paraditen e djeshme nga ana e Kryeministrit Sali Berisha, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar foli për herë të parë mbi negociatat “sekrete” që ndodhën pak ditë më parë në Presidencë. Sipas Berishës, fakti që ai po tregonte për ato çfarë kishin ndodhur brenda tryezës, lidhej me akuzat e pabaza që ishin hedhur ndaj tij nga ana e opozitës. “Dyert e mbyllura janë të nevojshme për bisedime, por edhe transparenca ka domosdoshmërinë e saj, meqenëse diskutohej për probleme me interes të madh publik dhe jo për probleme personale”, argumentoi Berisha. Sipas tij, fillimisht ai kishte shkuar në tryezën e Presidentit Topi me mendimin e prerë për të pasur sukses dhe për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për palët. Po kështu, Berisha foli edhe për detajet specifike dhe zgjidhjet e ofruara në tryezë në praninë e delegacionit presidencial të Këshillit të Europës. “Atyre u është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qëndrimi që të gjitha problemet që zoti Rama ka me fakte dhe prova e që implikojnë në një mënyrë ose në një tjetër hapjen e kutive, t’ia adresojë Prokurorisë së Shtetit, e cila në Shqipëri nuk është degë e ekzekutivit”, tregoi Berisha në lidhje me një propozim të hedhur në tryezën e drejtuar nga Presidenti Topi. Sipas Berishës, edhe propozimi për hetim nga ana e prokurorisë ishte një koncesion nga ana e mazhorancës, nisur nga fakti se tashmë ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve. Por, sipas Berishës, ky propozim nuk u pranua nga ana e delegacionit të opozitës në Presidencë, i cili përbëhej nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe kryetari i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi. Sipas Berishës, opozita gjithashtu nuk pranoi as që çështja e komisionit hetimor për hapjen e kutive të votimit të dërgohej në Komisionin e Venecias. Por, sipas Berishës, kjo duhet të ishte një procedurë që të bazohej mbi vendimin e dhënë më parë nga Gjykata Kushtetuese për komisionet hetimore. “Nuk mundet që qeveria t’i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet e gjykatës së saj. Kjo nuk ndodh pa miratimin e gjykatës. Ka një vendim gjykate dhe duhet ta bëjmë të qartë këtë, pasi nuk duhet shkuar me mendimin si të krijojmë blloqe përpara”, sqaroi Berisha. Kryeministri, pasi bëri një përmbledhje të plotë të propozimeve dhe diskutimeve në tryezën e Presidentit, doli në përfundimin se mosgjetja e një konsensusi mes palëve erdhi vetëm për faj të opozitës. “Ndaj dhe në qoftë se nuk pati marrëveshje, nuk ishte për shkakun tim”, theksoi Berisha, duke nënkuptuar edhe mbylljen e bisedimeve mes palëve në tryezën e Topit. Nga ana tjetër, Berisha gjeti rastin të përshëndeste edhe hyrjen në Parlament të opozitës. Po kështu, kryeministri komentoi edhe nismat ligjore të propozuara nga opozita. “Këto nisma do të trajtohen me seriozitetin më të madh, me angazhimin më të madh, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, theksoi Berisha. Sipas tij, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të organizonte sipas ligjit të gjitha procedurat që do të garantonin seriozitet në shqyrtimin e kësaj nisme. Por, nga ana tjetër, burime nga PD-ja bëjnë të ditur se mazhoranca është e vendosur për të mos pranuar asnjë kërkesë, e cila kërkon hapjen e kutive në një komision parlamentar hetimor.
#