E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pas shpronësimit nga qeveria fillojnë punimet e sheshit Skënderbej

Debati Ka nisur puna për rikonstruksionin e segmenteve që do të përballojnë trafikun e qendrës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka kërkuar përsëri nga qeveria akordimin e fondeve për shpronësimin e objekteve që prek Unaza e Vogël. Kjo gjë, sipas Ramës, do t’i hapë rrugën rehabilitimit të sheshit “Skënderbej”, që ai ka premtuar sërish dje se do të nisë nga puna shumë shpejt. Me qëllim përballimin e flukseve të trafikut dhe lehtësimin e lëvizjes në një periudhë tranzitore, deri në përfundimin e rrjeteve rrugore kryesore, si pjesa verilindore e Unazës së Vogël, apo dhe pjesa jugperëndimore e Unazës së Madhe, Bashkia e Tiranës ka filluar procesin e rikonstruksionit të rrugëve: “Abdi Toptani”, “Bardhok Biba”, “Urani Pano”, rruga pas Pallatit të Kulturës. Këto rrugë janë parashikuar të përballojnë flukset transit të trafikut, duke mundësuar lehtësimin e punës për rivitalizimin e qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të krijojë një frymëmarrje për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit “Skënderbej”.

“Duke përsëritur edhe një herë apelin e qytetarëve të Tiranës ndaj qeverisë, që të hapë rrugë për shpronësimin e domosdoshëm dhe krijimin e kushteve që të mbyllet Unaza e Vogël, e cila do ta spostojë përfundimisht trafikun nga qendra dhe do i japë mundësi qendrës që të funksionojë për këmbësorët, ne sot po prezantojmë përpjekjen tonë për të hapur një rrugë ndihmëse provizore, e cila do të mund ta devijojë trafikun, duke lejuar fillimin e punimeve në sheshin ‘Skënderbej’, i cili është domosdoshmërish i detyrueshëm për të filluar, por ndërkohë përsëris që zgjidhja përfundimtare është hapja e gjurmës së Unazës së Vogël”, tha kryebashkiaku Rama gjatë inspektimit të punimeve.
Modeli i ri urban i qytetit të Tiranës, ndërtuar mbi bazën e strategjisë së transportit, përfshin kthimin e sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›