E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Dule, zëdhënës i qarqeve të errëta greke, provokon për Çamërinë

Shpëtim Idrizi

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i është përgjigjur dje deklaratave të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili tha se Çamëria nuk ekziston. Për Shpëtim Idrizin, kreu i PBDNJ-së është një shërbëtor i politikës së errët të shtetit grek, i cili nuk njeh historinë. Gjatë një konferencë për shtyp, Idrizi ka shpjeguar prejardhjen e emrit Çamëri, duke thënë se kjo çështje ka ekzistuar në çdo kohë. Zoti Dule do të ishte mirë të merrte disa leksione historie, përpara se të fliste për të. Nëse do ta bënte, do ta dinte mjaft mirë se termi Thesproti është ringjallur në Greqi as më shpejt e as më vonë sesa në vitin 1937. Ndërkaq, termi Çamëri, që vjen nga lashtësia, nëpërmjet lumit legjendar Thiamis, ka qenë i përdorur zyrtarisht edhe nga vetë Greqia deri në atë vit. Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, e thonë edhe shkencëtarët grekë, përfshi ministrin aktual të Arsimit në Greqi, gjuhëtarin Jorgos Babinjotis, në fjalorët e tij. Ndaj, duke iu përgjigjur atij, ne po i përgjigjemi atyre qarqeve të errëta të politikës dhe të shtetit grek që sguxojnë të dalin në dritë, por vendosin para vetes shërbëtorin e tyre Dule. Ne u themi këtyre qarqeve, këtij njeriu të tyre, se Çamëria ka qenë dhe mbetet një realitet historik dhe ekzistues, sot dhe në të ardhmen. Ai thotë se që nga koha e demokracisë nuk ekziston një emër Çamëri, theksoi Shpëtim Idrizi. Kreu i PDIU e ka cilësuar Vangjel Dulen si një provokator i qëllimtë i politikave nacionaliste greke. Kjo është një çmenduri që vetëm një renegat mund ta thotë: Ai më ngjan, si provokator dhe ngacmues pa shkak, me 2 personazhe groteske të viteve 80 në Tiranë, si Shaban Qosja dhe Gëzim Kulufi. Dulja që sheh nga Athina e i duket vetja europian le të pyesë qytetarët e vjetër të Tiranës se kush janë ata, dhe që mbeten gjithsesi më të mirë se vetë Dulja. Më në fund, Çamëria është një plagë që kullon gjak akoma, si pasojë e veprimeve gjenocidale të paraardhësve të atyre që kanë sot për zëdhënës Vangjel Dulen. Nacionalizmi i saj, i ngritur mbi monumente të rrejshëm, grabitur nga historia e të tjerëve, u rrënua në mënyrë tragjikomike, ndaj ne i shohim bartësit e asaj filozofie, zëdhënësit e saj si Dulja, me përbuzje dhe keqardhje, deklaroi Idrizi.

Deklarata e Dules
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut deklaroi ditë më parë se nuk ka ekzistuar ndonjëherë Çamëria. Gjatë një interviste në 5 pyetje nga Babaramo, Dule deklaroi se marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë marrëdhënie europiane, ndërsa çështja e kthimit të çamëve në kufij është vetëm një spekulim. Nuk ka pasur në kohërat e demokracisë në shtetin grek asnjë krahinë me emrin Çamëri. Askush nuk mund ti imponojë shtetit grek toponimet e veta. Incidentet në kufi janë në dëm të vendit tonë, sepse kemi lëshuar një pasaportë të pavlefshme, u shpreh Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›