E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-biznesit kinez Merrni me koncension minierat

Kryeministri Berisha dhe kryebashkiaku Basha morën pjesë në Forumin ekonomik shqiptaro-kinez, si dhe vizituan Panairin e teknologjisë dhe investimeve kineze, të hapur sot Tiranë.
Të pranishëm në këtë forum ishin drejtues të 67 sipërmarrjeve, ndër 500 më të rëndësishmet në Kinë dhe 100 biznesmenë të cilët kanë zgjedhur Tiranën, si destinacionin e parë të tyre në Evropë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Nënkryetari i Bashkisë së Nanjingit, në Kinë, z. Li Fuquan, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri z. Ye Hao, përfaqësues të Konf-industrisë dhe të biznesit në vend, etj. Në këtë aktivitet, në praninë e Kryeministrit Berisha, u nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Nankinit.

Në fjalën e tij në forum, Kryeministri Berisha falënderoi Kryetarin e Delegacionit Kinez për delegacionin e rëndësishëm që solli në Tiranë, zhvillimin e panairit të prodhimeve, që solli potencialet e sipërmarrjeve të mbi 60 bizneseve të fuqishme kineze në Shqipëri. “Dua t’ju siguroj se jeni në një vend mik i cili mirëpret vizitën tuaj këtu me një kënaqësi shumë të madhe”, u shpreh Kryeministri.

Duke iu referuar miqësisë së thellë e të hershme midis dy kombeve dhe vendeve tona, miqësi e cila këto 20 vitet e fundit ka njohur nivele të larta, Kryeministri tha se “është faktuar një vendosmëri e palëkundur e qeverisë sime dhe qeverisë së vendit tuaj, për t’i dhënë asaj dimensione të reja të panjohura më parë”.

Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishme platformën e paraqitur vetëm disa ditë më parë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Ëen Jiabao, në Varshavë, për bashkëpunim të ndërsjellë mes vendeve të këtij rajoni dhe Republikës Popullore të Kinës. Në këtë kontekst, Kryeministri bëri me dije se pikërisht sot, në selinë e Këshillit të Ministrave, ai drejtoi mbledhjen e Task Forcës së ngritur për të konkretizuar e jetësuar bashkëpunimin, në përputhje më këtë platformë me Republikën Popullore të Kinës, bashkëpunim i cili shtrihet e do të shtrihet në të gjitha fushat.

Më pas, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të gjerë të potencialeve të mëdha që ofron Shqipëria në shumë fusha kryesore si, përcaktimin e zonave për parqe industrialë, potencialet në fushën e energjisë së rinovueshme, ku janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale të vogla, të mesme e të mëdha, apo ku ofrohen edhe kaskada të tjera si ajo e Vjosës, Skavisës, por edhe potenciale të tjera të mëdha. “Kompanitë kineze janë të mirëpritura me investimet në këtë fushë dhe i dhe i garantoj se qeveria shqiptare do të zbatojë rregullat më transparente të tregut, rregullat më liberale në tregun energjetik”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri përmendi gjithashtu rezervat e mëdha minerale që Shqipëria ka në krom, hekur, nikel, bakër e minerale të tjera, si dhe pasurinë me gurë dekorativë, në naftë. Kryeministri u ndal edhe në procesin e privatizimit të Albpetrolit, ku ftoi investitorët kinezë të përfshihen në këtë proces.

“Vendi është për t’u eksploruar në të katër anët e tij”, theksoi Kryeministri, ndërsa nënvizoi se Shqipëria ka një pozicion gjeografik shumë të favorshëm dhe ajo është porta e Ballkanit drejt perëndimit dhe porta e perëndimit drejt lindjes.

Kryeministri vuri në dukje edhe rëndësinë e projektit të madh të Korridorit 8, projekt që rikthen rrugën e lashtë Egnatia dhe që e lidh atë me rrugën e lashtë të Mëndafshit, rrugë këto që i shërbyen qytetërimit botëror. Shqipëria po ndërton pjesën e saj të këtij korridori, tha Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi edhe rëndësinë shumë të madhe të bashkëpunimit në fushën kulturore e arsimore, duke informuar në këtë drejtim, se së shpejti, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, do të ngrihet në Tiranë Instituti i Konfucit, sikundër, qeveria shqiptare ka vendosur që gjuha kineze të mësohet në shkollat shqipe.

Duke theksuar edhe njëherë përkushtimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të favorshme për investime në vend, Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrjet kineze dhe i siguroi ata se do të kenë gjithnjë një mik të çmuar në qeverinë shqiptare, që do të bëjë gjithçka që investimet dhe projektet e tyre të jenë një histori e vërtetë suksesi si për ata, ashtu edhe për të dy vendet dhe kombet tona.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha ka prezantuar në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik Shqipëri-Kinë potencialet që mbart Tirana për investime dhe lehtësirat e krijuara për biznesin. Zoti Basha u ndal në mundësitë që hap plani urbanistik, projektet strategjike e deri te klima e biznesit dhe lehtësirat që ofrohen për të investuar në Tiranë.

“Këtë muaj Tirana do të shpallë planin e ri urbanistik, i cili së bashku me investimet strategjike në fushat e infrastruktrës, telekomunikacionit, dhe ndërtimeve të sektorit privat, do t’i japë një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë se qytetit dhe mbarë vendit. Plani i ri urbanistik dhe plani i detajuar i bulevardit të ri të Tiranës dhe rehabilitimit të Lumit të Tiranës, i cili iu është prezantuar në detaje autoriteteve të Republikës Popullore të Kinës, plani për ndërtimin e dy linjave të tramit të Tiranës dhe të terminalit multimodal të pasagjerëve në hyrje të Tiranës, janë disa prej projekteve kryesore me të cilat ne dalim sot para jush në Tiranë dhe para autoriteve kineze në Pekin dhe investitorëve kinezë kudo. Për nga impakti që këto do të kenë, dhe për nga mundësitë që do të hapin për investime private në fushën e ndërtimit rezidencial, komercial, ndërtimin e parkut të ri teknologjik dhe zonave të reja prodhuese, besoj se meritojnë vëmëndjen tuaj të plotë. Shumë prej fushave të aktivitetit tuaj prodhues janë të lidhura me eksportin drejt Europës. E pra Tiranë është një orë dhe një orë e 30 minuta larg qendrave kryesore të Europës. Investimet në sektorin e prodhimit në Tiranë do të bëhen në kushtet e klimës më miqësore që ju mund të gjeni në këtë kontintent. Regjistrimin e biznesit brenda gjysëm ore, me një kosto simbolike prej një euro, marrjen e gjithë licencave dhe lejeve në një ndalesë të vetme me kohëzgjatje 7 deri në 10 ditë dhe marrjen e një leje ndërtimi jo më gjatë se 55 ditë. Për më shumë, çdo biznes që do të punësojë më shumë se 50 punonjës, do të përjashtohet tërësisht nga taksat lokale për 4 vjet. Pra për katër vjet taksat lokale do të jenë zero. Këto janë disa prej arsyeve kryesore se pse ne mendojmë që ardhja juaj këtu është një ogur i mirë dhe nuk keni ardhur për të ikur, por për të qendruar. Ju siguroj se Bashkia e Tiranës do të shumëfishojë përpjekjet për ta bërë vendosjen e bizneseve tuaja në Tiranë dhe nisjen e investimeve tuaja në këtë qytet, sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë”, theksoi Basha.

Në këtë konferencë dhe në prani të Kryeministrit, u nënshkrua mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Nanjingut marrëveshja e bashkëpunimit. Ky memorandum i nënshkruar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti dhe ai i Nanjingut parashikon bashkëpunim në fushën e turizmit, shkencën, teknologjinë, kulturën, ndërtimin urban etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›