Berisha biznesmenëve: Investoni në Shqipëri, një vend i vogël, por me potenciale shumë të mëdha Kryeministri Berisha dhe homologu i tij estonez Ansip, gjatë pjesëmarrjes në punimet e Forumit të Biznesit "Investement in Albania"

Kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri estonez Andrus Ansip morën pjesë sot në Forumin e Biznesit “Investement in Albania”. Bashkë me dy krerët e shteteve mike, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e delegacionit estonez, anëtarë të kabinetit qeveritar shqiptar, si dhe mjaft biznesmenë nga të dy vendet. Duke hapur punimet e këtij Forumi Biznesi, kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e parë zyrtare të një kryeministri nga Estonia në Shqipëri, si një impuls mjaft të fuqishëm për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, që priten të zhvillohen me shpejtësi në të ardhmen. Duke iu drejtuar homologut estonez, si dhe biznesmenëve estonez të pranishëm në këtë forum, kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij të thellë, se investimet estoneze në Shqipëri, do të kenë një sukses të padiskutueshëm. “Unë ju ftoj të shikoni dhe konsideroni, sepse është bindja ime e thellë që përpjekjet tuaja do të shpërblehen dhe do të jenë një histori e vërtetë suksesi. Unë ju ftoj të investoni në këtë vend, i cili është i vogël, por ka një potencial shumë të madh. Potencialet më të mëdha që vendi ju ofron janë: energjia, turizmi, prodhimi e minierat”, u shpreh Berisha. Duke iu referuar prioriteteve të qeverisë shqiptare për sa i përket investimit dhe zhvillimit të energjetikës në vend, duke e kthyer Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon, kryeministri i siguroi të pranishmit se kjo është një ndër fushat më të favorshme, ku biznesmenët estonezë mund të investojnë.