Qindra qytetarë shkodranë firmosin kundër centralit, nesër protesta
Qindra qytetarë kanë firmosur peticionin që i thotë “Jo!” ndërtimit të centralit bërthamor. Nisma e ndërmarrë nga deputeti Gilman Bakalli, përfaqësues të shoqërisë civile dhe rinia e këtij qyteti është përkrahur nga shumë njerëz.
Mbi 300 persona kanë firmosur që në orët e para, kur ka nisur grumbullimi i firmave përpara Radio Shkodrës, në qendër të qytetit.
“Mjaftuan vetëm 2 orë për të sensibilizuar qytetarët shkodranë, për t’i thënë JO! me firmën e tyre projektit vdekjeprurës të qeverisë shqiptare. Qindra qytetarë firmosën peticionin “Kundër ndërtimit të centralit bërthamor” në qytetin e Shkodrës, për t’i thënë STOP! politikave të shkatërrimit, për t’i thënë NDAL! politikave të mospërfilljes së mendimit të qytetarëve, për t’i thënë NDAL! politikave të interesave dhe përfitimeve personale. Është koha të tregohet se qytetarët kanë të drejtë të vendosin vetë për fatet e tyre, ashtu si në të gjithë botën, është koha që qytetarët të sensibilizohen për t’u bashkuar dhe për t’u sensibilizuar në luftën për të drejtat e tyre”, - thuhet në deklaratën e organizatorëve të peticionit.
Ata kanë deklaruar se do përshkallëzojnë qëndrimet e tyre, në rast se qeveria do shprehet në favor të ndërtimit të centralit.
Nga ana tjetër, Forumi “Jo centralit bërthamor në Shqipëri!” ka deklaruar se do ketë dhe një manifestim qytetar të dielën kundër ndërtimit të këtij centrali.
“Më datën 26/4/2009, populli i Shkodrës do të organizojë një manifestim qytetar kundër ndërtimit të centralit bërthamor në Shkodër. Duke shprehur kështu edhe nevojën e një referendumi për ndalimin, në të ardhmen, e ndërtimit të një centrali të tillë në Shqipëri. Protesta do të ketë si pikënisje sheshin e Parrucës dhe do të fillojë në orën 10 paradite”, - thuhet në deklaratën e këtij forumi.
Në të vërtetë, qeveria shqiptare si në shumë raste të tjera nuk ka bërë asnjë transparencë për këtë projekt skandaloz, por po pret reagimet e ndryshme për të testuar situatën.
Të rinjtë shkodranë që në ditët e para, kur u mësua një lajm i tillë, kanë mbushur qytetin me postera kundër ndërtimit të centralit.
Trashëgimia e Çernobilit
Njëzetetre vjet më parë, më 26 prill 1986, një rritje e tensionit elektrik në termocentralin bërthamor të Çernobilit shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, duke hedhur kështu në erë mburojën 1,000 tonëshe të një reaktori.
Aksidenti i rëndë bërthamor që në të gjithë botën njihet si Tragjedia e Çernobilit, pasohej me diskutime të shumta, nëse ishte gabim i teknikës apo gabim njerëzor.
Për shkak se udhëheqja e atëhershme e Bashkimit Sovjetik me shumë vështirësi e pranoi faktin se kishte ndodhur një aksident bërthamor, qytetet e prekura përreth termocentralit u boshatisën pothuajse plotësisht nga banorët. Ata përballeshin me një radioaktivitet që vlerësohej të ishte 100 herë më i madh se bombat e lëshuara në Hiroshimë dhe Nagasaki gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përkundër braktisjes së këtyre zonave, të shumtë janë ata banorë që nuk u shpëtuan sëmundjeve të shumta kancerogjene. Ato vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot. Më 2006, organizata “Greenpeace” konsideronte të jenë rreth 200, 000 të vdekur nga kanceri apo sëmundjet e tjera të lidhura me radioaktivitetin.
Që nga kjo tragjedi bërthamore, shumëçka ka mbetur e paprekur në këtë vend, ngaqë flora dhe fauna, përkundër shëndetit të brishtë nga rrezatimi ende i pranishëm, janë shndërruar në fuqi.
Në Bjellorusi, tragjedia e Çernobilit shihet si një problem politik, por edhe hapësinor. Por, sido që të jetë, mbetet “Rruga e Çernobilit” - marsh ky i organizuar vit për vit në përvjetorin e tragjedisë, në shenjë kujtimi ndaj viktimave.
RFE