Berisha "braktis" Bethovenin, feston me AC/DC
Jo më Bethoven apo baladë e lehtë. Partia Demokratike e ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 me "Heavy Metal". Në 18-vjetorin e themelimit të PD-së, e cila ka qenë një nisje e parakohshme e betejës së gjatë të vitit të ardhshëm, kolona zanore është zëvendësuar me "Thunderstruck" të AC-DC, për t‘u zbutur më pak disi me Jon Bon Jovi-n, por gjithsesi, është një tregues se selia blu do të bëjë një fushatë agresive, që e ka dëshmuar në festën e ditëlindjes. E cila më shumë se një takim përkujtimor, ka qenë një demonstrim force i Partisë Demokratike për të shpallur qëllimin për të fituar një mandat të dytë qeverisës në zgjedhjet e vitit 2009. Në Pallatin e Kongreseve, dje pasdite, më shumë se një pasarelë themeluesish, selia blu ka demonstruar muskujt e saj, duke nxehur motorët e një fushate që sipas të gjitha gjasave do të fillojë shumë shpejt. Këtë e deklaroi vetë Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, njëkohësisht lideri i partisë në pushtet. Kreu i qeverisë shqiptare ka shpallur tri kartat më të fuqishme që partia e tij do të ketë në fushatën e ardhshme elektorale. Të cilat janë: Integrimi në BE, anëtarësimi i plotë në NATO, si dhe ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës. Kryeministri Berisha deklaroi para mijëra përkrahësisht që brohorisnin në një sallë me një skenografi të ngjashme me fushatat amerikane, se "Qeveria do të aplikojë në janarin e vitit 2009 për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian". Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike, e konsideroi hyrjen në NATO, si një nga arritjet më të mëdha të qeverisë së tij, duke theksuar me forcë se Partia Demokratike do të marrë mandatin e dytë qeverisës në ballafaqimin elektoral të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, ai ka mbrojtur fuqishëm investimin e qeverisë së tij, duke sulmuar akuzatorët e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Ndërkaq, fjalimi i Kryeministrit Berisha në festën-tubim të Partisë Demokratike, ishte një glorifikim i rolit të forcës politike që drejton, duke i dhënë padyshim një aksent elektoral. Kryeministri Berisha deklaroi në fjalimin e tij se "Partia Demokratike ishte ajo forcë që i dha vendit pluralizmin dhe lirinë". Sipas Berishës, dita e themelimit të Partisë Demokratike, mund të krahasohet në një nivel me ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe e quajti një Rilindje të dytë Kombëtare. "Shqipëria u shndërrua në vendin ku garantoheshin të drejtat dhe liritë e minoriteteve. Në 5 vite të qeverisjes pas izolimit i hapëm rrugë lirisë, firmosëm qindra marrëveshje e traktate me vendet e lira. Zëvendësuam të gjitha ligjet e komunizmit me të drejta standarde", tha Berisha. Ai tha se gjatë këtyre viteve janë bërë pronarë 460 familje fshatare, janë privatizuar 220 mijë apartamente në qytete, ndërkohë që u privatizuan edhe të gjitha ndërmarrjet shtetërore.
"Liberalizuam çmimet dhe kursin e këmbimit dhe brenda 5 viteve u bëmë vendi i rritjes dyshifrore dhe 80% e GDP-së vinte nga privatët", vazhdoi ai. Sa u përket skemave piramidale, Kryeministri tha se kolapsi u përdor nga opozita si mjet kundra tyre, ndërkohë që qeveria në atë kohë mori të gjitha masat për shmangien e katastrofës. Në festën e themelimit të PD-së, ishin disa nga themeluesit e saj, kreu i PAD-së, Neritan Ceka, partneri në koalicion, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule etj. Ka munguar normalisht një prej ish-krerëve të saj më të rëndësishëm, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka respektuar statusin e tij mbi partitë.