Rama: Plani i PS-së për të zhvilluar turizmin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim në qytetin e Durrësit, ku ka shpalosur programin qeverisës së PS-së për turizmin. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e këtij qyteti, Rama tha se qeverisja socialiste, pas 28 qershorit, të gjitha investimet në infrastrukturë do t’i kryejë në funksion të zhvillimit të turizmit. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se për fat të keq Shqipëria ende nuk ka një sistem licencimi dhe vlerësimi të njësive hoteliere të turizmit në bazë të standardeve europiane. “Nuk kemi sot e gjithë ditën asnjë sistem vlerësimi të pranueshëm të njësive hoteliere të turizmit. Ne do ta ngremë këtë sistem licencimi dhe vlerësimi në bazë të standardeve europiane, me qëllim që t’i integrojmë shërbimet tona turistike në rrjetin europian të shërbimeve turistike. Nga ana tjetër, ne do të bëjmë të mundur që Shqipëria të bëhet një prej destinacioneve më të konsoliduara turistike të Ballkanit dhe të bëhet pjesë e zinxhirit turistik të rajonit, ku sot është tërësisht një hallkë e shkëputur. Sot turizmi në Shqipëri mbijeton vetëm falë prurjes që vjen nga matanë kufirit tonë verior, që është e destinuar të ulet në rast se ne nuk do të rritim cilësinë e shërbimeve që ofrojmë”, - tha Rama.
4 Maj 2009