Berisha, darkë me Oksën e Gjebrenë
ADI SHKEMBI
Në ditët e fundit të pushimeve para nisjes së sesionit të ri parlamentar në shtator, ku edhe zhvillimet politike pritet të jenë të shumta, Kryeministri Berisha kthen vëmendjen nga arti dhe kultura. Kreu i qeverisë ka ftuar për një darkë familjare këngëtaren e njohur italiane me origjinë shqiptare, Ana Oksa. Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja kanë darkuar për rreth 110 minuta së bashku me këngëtaren, dy fëmijët e saj, si dhe këngëtari i njohur i muzikës shqiptare, Ardit Gjebrea së bashku me bashkëshorten. Ndonëse nuk bëhen të ditura shumë detaje nga kjo darkë, mësohet se ajo ka nisur rreth orës 20:30 të së premtes dhe ka përfunduar rreth orës 22:15 minuta në vilën qeveritare 30 në kryeqytet. Lajmi për darkën e shtruar nga kreu i qeverisë bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave. “Gjatë mbrëmjes të së premtes, Kryeministri Berisha dhe zonja e tij, Liri Berisha, kishin të ftuar për një darkë të ngrohtë dhe miqësore artisten dhe këngëtaren e mirënjohur italiane me origjinë shqiptare, Ana Oksa. Këngëtarja, moderatorja, prezantuesja e mirënjohur italiane me origjinë shqiptare, Ana Oksa, e cila është dhe një avokate e shkëlqyer e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi në Itali dhe kudo në Evropë, shoqërohej gjatë kësaj darke nga dy fëmijët e saj, vajza Françeska dhe djali Qazim. Ana Oksa dhe fëmijët e saj ndodhen në Shqipëri për të kaluar pushimet e shkurtra disa ditore në bregdetin tonë, por gjithashtu edhe në qytetin e Krujës, qytet ku ka lindur babai i saj dhe me të cilin ajo ka një lidhje shumë të fortë shpirtërore”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë kësaj darke, që u zhvillua në një atmosferë mjaft të përzemërt dhe familjare, Ana Oksa shprehu kënaqësinë e madhe të saj dhe të fëmijëve të saj për ditët e mrekullueshme që ata kaluan në Shqipëri. “Ajo falënderoi Kryeministrin Berisha dhe shprehu vlerësimet maksimale për punën e tij për të ndryshuar kaq shumë vendin e saj të origjinës, ndryshim rrënjësor për të cilin ajo u shpreh se e konstatoi gjatë kësaj vizite, krahasuar me vizitën e saj të fundit në vendin tonë, ndryshime këto të cilat e gëzonin pa masë, duke qenë se e konsideronte dhe donte Shqipërinë si vendin e saj”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Gjatë darkës, këngëtarja e njohur italiane me origjinë shqiptare tha se ndryshimin dhe zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit e gjente të pasqyruar edhe në zhvillimin e kulturës, spektaklit, botës muzikore në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo shqiptarët jetojnë. Ajo u shpreh gjatë darkës se ndihej shumë mirë dhe shumë e mirëpritur në Shqipëri dhe se do të vinte përsëri këtu këtë radhë për të qëndruar më gjatë. Këngëtarja italiane është një nga ambasadoret e Shqipërisë nëpër botë. Disa vite më parë, në një dalje publike në televizion, ajo ka pranuar se ka prejardhje shqiptare, duke shpjeguar se i ati i saj ka mbërritur nga Kruja në Itali.