E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Në koalicion ka vend për çdo parti

 

Pavarësisht deklaratave të ashpra të Partisë Demokristiane në adresë të demokratëve dhe republikanëve, këta të fundit mendojnë se në koalicionin e djathtë ka vend për çdo parti dhe individ. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha në një prononcim për mediat se, “nuk mendoj që do të ketë ndonjë racionalitet në politikën e tyre, d.m.th në agresivitetin karshi partive të tjera, ashtu si dhe partitë e tjera do të përpiqen që të gjejnë një gjuhë mirëkuptimi, për të përfshirë të gjithë të djathtën në këtë marrëdhënie. Në këtë aspekt, unë mendoj se ka vend qoftë për individë, qoftë për parti politike, pa përjashtuar askënd”. Lidhur me mënyrën se si do të bashkëveprojnë aleatët e koalicionit të djathtë për të fituar një tjetër mandat katërvjeçar, duket se republikanët nuk tërhiqen nga ideja e tyre për një konfederatë. Ndryshe nga disa prej aleatëve dhe ish-aleatëve, që mundësinë e vetme të ekzistencës e shohin tek shkrirja me selinë blu, lideri i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i qëndron idesë së ruajtjes së profilit të secilës prej partive. “Duhet të kemi në konsideratë që zgjedhjet po afrohen dhe çdo lëvizje duhet të fillojë me qartësi politike për të maksimizuar votat për të djathtët, por njëkohësisht për të ndërtuar një formacion solid, nuk po i vë një emër konfederatë apo federatë, pasi e rëndësishme është që ne të ndërtojmë një marrëdhënie të tillë, e cila të vlerësojë patjetër idetë dhe bashkëpunimin racional mbi këto ide. Pra, të jemi një formacion i hapur për prurje të reja. Mendoj se është e domosdoshme jo vetëm për shkak të sistemit të ri zgjedhor”, tha Mediu.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›