E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria i “josh” të gjithë për Evropianin

 

Pas Lojërave Olimpike, tashmë vëmendja e shtangës shqiptare është fokusuar te kampionati evropian i të rinjve, i cili do të zhvillohet në Durrës nga 13-21 shtator. Ky është aktiviteti i parë në rang evropian që organizon Federata Shqiptare e Peshëngritjes në historinë e saj. Sipas sekretarit të përgjithshëm Ilir Kraja, FSHP-ja është drejt fundit të përgatitjeve të kësaj premiere. Ndryshe nga organizimet e mëparshme për këtë grupmoshë në arenën evropiane, sekretari Kraja deklaroi se kësaj radhe do të ketë një pjesëmarrje rekord. Në pedanën e “Ramazan Njalës” parashikohet të ngjiten rreth 400 sportistë, të cilët do të mbrojnë ngjyrat e mbi 33 shteteve të Evropës. “Sipas meje, pika kyçe e këtij evenimenti, ndërkohë akomodimi pothuajse është sistemuar, mbetet vetëm pallati i sportit i qytetit të Durrësit, prandaj kërkoj një angazhim më të madh nga Bashkia e Durrësit. Në fakt, e gjithë infrastruktura elektronike do të vijë nga Italia, pasi ne nuk kemi mundësi financiare për ta siguruar. Gjithashtu, kolegët fqinjë do të dërgojnë edhe një grup specialistësh për të bërë monitorimin e saj”, u shpreh për “Panorama”, numri dy i FSHP-së, Ilir Kraja. Mes shumë delegacioneve, nuk mund të mungonin edhe dy titullarët më të lartë të Federatës Evropiane. “Më datën 6 shtator Shqipëria do të vizitohet nga presidenti dhe sekretari i Federatës Evropiane. Gjithashtu, i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës. Mendohet që në ceremoninë e hapjes të aktivitetit të marrin pjesë edhe shumë personalitete të larta nga politika shqiptare”, nënvizoi Kraja, i cili nuk e përjashtoi mundësinë që shumë nga tanët të hyjnë në zonën e medaljes. “Megjithëse konkurrenca do të jetë e madhe, kandidatë të mundshëm nga kuqezinjtë për të hyrë në zonën e medaljes do të jenë po ata Erkand Qerimaj, Gerti Trasha, Briken Calja, Daniel Godelli, Xhulio Prroni, Sherjana Ruci dhe Maria Veli”.    O.S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›