E Shtunë, 31 Tetor 2026

Canaj i beson përvojës, Grima e Sinani në fushë

 

Vllaznia do të presë sot Tiranën në stadiumin “Loro Boriçi”, në ndeshjen më të spikatur të javës së parë të kampionatit të 70-të kombëtar të futbollit. Pragu i sezonit është plot probleme për kuqeblutë, të cilët duhet të zëvendësojnë tre lojtarë të rëndësishëm, Telin, Likën e Sukajn, të cilët janë larguar drejt Turqisë. Megjithatë, trajneri Agim Canaj po e pret me qetësi përballjen kundër Tiranës, duke deklaruar se nuk i druhet aspak skuadrës që për vite me radhë ka qenë tabu për shkodranët. Përballja e fundit midis dy skuadrave ka qenë finalja e Kupës së Shqipërisë, në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, ku Vllaznia fitoi pastër 2-0, ndonëse i mungonte golashënuesi Vioresin Sinani. “Ekipi është stërvitur me shumë rigorozitet në këtë periudhë dhe të gjithë ndihemi mirë”, shprehet Canaj. “Jam optimist, pasi ekipi ndihet mirë, jo vetëm në përgatitjen fizike e taktike, por edhe atë morale e psikologjike. Kemi pasur probleme largimesh e dëmtimesh, por kjo nuk na bën që t’i trembemi Tiranës. Ne shpresojmë që të bëjmë më të mirën dhe njëherazi të arrijmë më të mirën”. Trajneri i Vllaznisë nuk ngurron të japë edhe detaje nga formacioni, duke njoftuar përfshirjen e dy veteranëve. “Në portë do të luajë Grima, ndërsa në sulm do të kemi Sinanin. Ky i fundit ndoshta nuk është në 100 për qind të formës, por kam besim se i ndihmuar edhe nga publiku, do të dijë të japë më të mirën në fushë”, shpjegon trajneri. “Edhe në pjesën tjetër të formacionit do të ketë ndryshime”. Duket se Canaj preferon të mbështetet te përvoja në përballjen me bardheblutë, një kundërshtar historik dhe i përforcuar së tepërmi gjatë merkatos së verës. Në pragun e sezonit, Canaj shkon përtej ndeshjes së parë, duke treguar synimet që ka skuadra kuqeblu: “Kemi pretendime serioze për të fituar trofe, ndërsa objektivi minimal është pjesëmarrja në Kupat e Evropës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›