PS-LSI, rikthehen replikat për koalicionet e përbëra në zgjedhje
Aristir Lumezi
Islami: Koalicioni i përbërë shmang pazaret e tavolinave
Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, shpjegon avantazhet e propozimit më të ri të socialistëve.
“Koalicionet e përbëra shmangin pazaret e tavolinave mes individëve”, u shpreh Islami. Duke e parë në mënyrë komplekse këtë koalicion të ri, që kushtëzohet nga sistemi zgjedhor proporcional, Islami shprehet se votuesi njëkohësisht ka mundësi të zgjedhë me votën e tij koalicionin dhe partinë që atë e bind se duhet të fitojë. “Votuesit me përcaktimin e njëkohshëm të koalicionit dhe të partisë fituese, përcaktojnë vetë kriteret e formimit të qeverisjes së ardhshme. Vendimmarrja e njëkohshme për koalicionin dhe partinë, ekipet dhe programet e tyre, kryhet nga votuesit dhe jo nga pazaret e tavolinave e të individëve mes tyre”, tha Islami. Ish-bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, i cili arriti të përcaktojë sistemin e ri zgjedhor, atë proporcional rajonal, shprehet se këto koalicione shprehin frymën e sistemit proporcional rajonal. Pas deklaratave të një dite më parë të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, se “koalicione të tilla janë vetëm koalicione bishtash”, sekretari socialist sqaroi përparësitë e këtij koalicioni në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Por Islami mendon se në këtë lloj koalicioni nuk ka parti dominuese, por respektim të një konkurrimi të ndershëm. “Koalicioni i përbërë nxit njëkohësisht konkurrimin e ndershëm të ekipeve midis koalicioneve dhe forcave politike, votuesit përzgjedhin njëkohësisht koalicionin dhe forcën politike, me liderin, ekipin dhe programin më të mirë”, tha Islami. Sipas tij, ky koalicion siguron bashkëpunim fleksibël që maksimalizon suksesin e njëkohshëm të koalicionit e të forcave politike përbërëse.
Reforma zgjedhore
Partia Socialiste ka nisur ditët e fundit konsultime me partitë opozitare për të marrë prej tyre aprovimin për opsionet e saj në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor. Socialistët përmes kryetares së grupit parlamentar, Leskaj dhe bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj, hodhën idenë e koalicionit të përbërë, ku partitë e një spektri të dalin në një koalicion, ku do të vlerësohen edhe në mënyrë individuale. Qëllimi i këtij koalicioni është përqendrimi i votave në një koalicion të spektrit të majtë për të garantuar fitoren e tij. Në këtë mënyrë, sipas socialistëve, arrihet dhe një korrektim i sistemit proporcional rajonal, ku votat e partive, pas presjes dhjetore mund të rillogariten. Por, ndërsa PSD-ja është shprehur e kënaqur me këtë propozim, i cili duket se është një pikë kyçe për bashkëpunimin mes partive të majta, LSI ende e sheh me dyshim një gjë të tillë, pasi kërkon nga lidershipi i PS-së të distancohet nga bashkëpunimi me Sali Berishën, në dëm të partive të tjera.
Hushi: Nano, kohë Edi Ramës që të reflektojë
Ish-deputeti socialist Durim Hushi, argumenton pse vendosi të jetë pjesë e një grupi miks parlamentar dhe situatën në të cilën ndodhet e majta. Ai shprehet se nga kjo përçarje e të majtës përfitime do të ketë LSI-ja, që vjen në rritje dhe Partia Komuniste e ajo e Punës.
Ju keni deklaruar krijimin e një grupi të ri parlamentar. Shpallja e grupit tuaj vjen rreth një vit pas votimit të kandidaturës së Bamir Topit si president. Është kjo një koincidencë?
Dua të them në radhë të parë se qëllimi i grupit tonë është respektimi i mendimit ndryshe, i lirisë së individit, gjë që tashmë u mungon totalisht deputetëve të tjerë të grupeve parlamentare. Lidhur me pyetjen tuaj, krijimi i grupit tonë është plotësisht i lidhur me atë datë. Në përputhje me veprimtarinë tonë njëvjeçare, e cila ka qenë e lidhur totalisht në mbështetje të grupit parlamentar socialist, dhe pse kemi qenë të përjashtuar nga ky grup, në përputhje dhe me idenë tonë, se bazuar dhe në statut, PS-ja pas një viti nga përjashtimi do të na ftonte në gjirin e saj, asgjë e tillë nuk ndodhi. Ne nuk patëm një ftesë pasi u mbush një vit. Përkundrazi krerët lokalë të PS-së kanë deklaruar se për të përjashtuarit nuk do të ketë një rishikim për t’u rikthyer në PS, dhe në këto kushte ne gjykuam që të jemi të angazhuar në një veprimtari konkrete parlamentare me të drejta të barabarta me të gjithë deputetët e tjerë.
Nga kryetari socialist Edi Rama kërkohet një aleancë “përtej të majtës dhe të djathtës”. Ju si deputet që keni lidhje të qëndrueshme me bazën socialiste, mund të na jepni perceptimin e saj në lidhje me këtë slogan?
Jam i njohur me sensibilitetet që janë krijuar që nga momenti kur është prishur koalicioni i majtë, pra menjëherë pas zgjedhjeve të pushtetit lokal, kur zoti Rama dhe Berisha kanë bërë dhe vazhdojnë të aplikojnë një marrëveshje mes tyre, por dhe me sloganin e kryetarit të PS-së jo për një aleancë të majtë, por mes njerëzish pa parti, të cilët duhet të votojnë për PS-në. Zoti Rama gabon rëndë, pasi ka krijuar një situatë paradoksale dhe kaotike në radhët e PS-së, të cilët gjithsesi e kanë të qartë se çdo parti garanton votat e saj dhe pastaj kërkon vota të elementëve sporadikë e të lëkundur, që janë jashtë të gjitha partive. Në këtë mënyrë, baza e PS-së mbetet e çoroditur, shumë pak mundësi ka të kërkojë shpjegime, sepse zoti Rama në praktikën e tij nuk kërkon mendime rreth vizioneve të tilla. Një slogan i tillë do të ketë pasoja negative për PS-së dhe të majtën në përgjithësi.
Kemi një shkëputje të gjatë të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Si e shihni të ardhmen e tij dhe mendoni se është momenti që ai të aktivizohet gjatë këtij viti elektoral?
Gjatë kohës që ne zhvilluam “Lëvizjen Nano”, nëse ka pasur ndonjë merak të vërtetë të vetë Nanos, por dhe tonin, ka qenë pikërisht përgjigjja e pyetjes se sa kjo lëvizje e dëmton të majtën; do t’i shërbente bashkimit apo ndarjes së mëtejshme të së majtës, e cila kishte një precedent negativ në zgjedhjet e 2005; nëse ne do të ishim në gjendje t’i transmetonin simpatizantëve tanë se ne nuk ishim për krijimin e një partie të re dhe për ndarjen nga PS-ja, por përkundrazi ne kërkonim një bashkim të PS-së me të gjithë faktorët, donim të detyronim Ramën të mos ndante dhe të mos shkëpuste pjesëza, të cilët ai gabimisht edhe sot vazhdon t’i konsiderojë si politikë e vjetër, donim që t’i jepnim t’i kuptonte se vetëm një e majtë e bashkuar dhe një PS gjithëpërfshirëse do të ishte garante për të marrë në dorë fatet e vendit. Duke mos marrë dot një përgjigje të saktë nga Edi Rama, i cili vazhdimisht na etiketonte si politikë e vjetër dhe si përçarëse të së majtës, mendoj se ka qenë një nga faktorët kryesorë që Nano e ndaloi lëvizjen e tij. Pra, mendoj që Nano i dha kohë Ramës të reflektonte ndaj metodave të tij përjashtuese, ndryshe nga premtimi i madh i tij si kandidat për kryetar i PS-së, që do ligjëronte dhe përkrahte mendimin ndryshe në PS. Nuk e besoj kurrë se Fatos Nano nuk do të kthehet në politikën aktive, por mendoj se kjo është një pauzë në politikë, që në kushte të caktuara brenda të majtës, do të sjellë shfaqjen e tij bindëse për të unifikuar veprimin e të majtës.
Tashmë e majta duket në mënyrë të pariparueshme e përçarë. Ato që do të përfitojnë nga kjo situatë, do të jenë dy partitë kryesore të së majtës, LSI dhe Partia Komuniste dhe Partia e Punës bashkë.
Përse keni këtë mendim?
Për LSI është më e lehtë të argumentosh, sepse nisur nga kryetari i saj, Ilir Meta, i cili është i qartë dhe luftarak, me eksperiencë të gjatë politike dhe ekzekutive, përderisa po bën një opozitë reale dhe aktive, do të gjejë vazhdimisht mirëkuptimin dhe përkrahjen e shumë simpatizantëve të majtë dhe socialistë që dita-ditës po e kuptojnë se PS-ja nuk është më ajo parti me një demokraci të brendshme, me mendim të lirë dhe ndryshe. Ndërsa Partia Komuniste dhe Partia e Punës, të cilat duhet të bashkohen në një parti, kanë shumë mbështetës dhe anëtarë të saj, pjesa më e madhe e të cilëve aderon në PS që vazhdojnë të mbeten të pakënaqur nga politikat e vakta të saj në mbrojtje të interesave të këtij komuniteti. Bashkëpunimin me Berishën ata nuk mund ta kapërcejnë lehtë. Por në sistemin e ri zgjedhor, duke votuar për partitë, ata shpëtojnë nga votat që ishin të detyruar të jepnin në maxhoritar për kandidatin e PS-së. Kjo do të thotë që do të kemi një rritje në numër dhe nëse në ndryshim nga LSI që e ka liderin e vet, Ilir Meta, dy partitë e tjera nëse do gjejnë një lider përfaqësues të denjë, kam besim se ata do përfaqësohen në parlamentin e ardhshëm.
Meta: LSI, në koalicion me vlera
Aristir Lumezi
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se partia e tij do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me faktorë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare.
Duke iu përgjigjur propozimit të socialistëve për koalicionin e përbërë, Meta tha se ai nuk është koalicion vlerash dhe principesh. Këto deklarata kreu i LSI-së i barti gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësues të diasporës shqiptare. “Reforma Zgjedhore ka hyrë në qorrsokak që në natën e 21 Prillit, kur u zgjodh një i ashtuquajtur model spanjoll, për të përcaktuar rregullat e lojës elektorale. Që nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje për të deformuar përsëri sistemin zgjedhor dhe përfaqësimin e vullnetit politik të qytetarëve shqiptarë dhe tani aq në hall kanë rënë iniciatorët e këtij sistemi, sa bëjnë përsëri shpikje alla-shqiptarçe në kuptimin më negativ të kësaj fjale, duke u përpjekur përsëri se si të bëjnë një eksperiment, kur ne e dimë që vendet nga ju vini kanë sisteme shumë të qarta, sisteme shumë të thjeshta, sisteme shumë të kuptueshme për votuesit, dhe që garantojnë legjitimitet të plotë”, tha Meta. Sipas tij, këto koalicione kanë si qëllim vetëm përllogaritjen aritmetike për të mos humbur asnjë votë të elektoratit. “Koalicionet e përbëra janë, gjoja të konkurrojmë më vete si subjekte, por të kemi një koalicion, ku nuk ka rëndësi se çfarë principesh ka apo do të ketë dhe nuk ka rëndësi se çfarë vlerash dhe çfarë qëllimesh ka, po ku i vetmi qëllim është që në fund fare, që në varësi të atyre presjeve dhjetore, që në mënyrën më të thjeshtë janë konsideruar bishta, të bëhet ndonjë shkëmbim”, tha Meta. Sipas tij, “kush ka bishtin më të madh, të marrë bishtin e atij që e ka më të vogël”. “Këto janë shprehje të një krize, ku këto forca politike kanë hyrë, për shkak të mungesës së principeve në vetëbërjen e një reforme elektorale të ndershme dhe kuptohet që mungesa e principeve, nuk bën gjë tjetër, veçse sjell shtimin e marifeteve dhe marifetet janë në dëm të zgjedhjeve, në dëm të legjitimitetit të sistemit, në dëm të përfaqësimit të drejtë të vullnetit të çdo qytetari shqiptar”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se kjo parti është shumë larg këtyre koalicioneve. “Prandaj, qëllimet tona kanë qenë dhe do të mbeten principiale, ndaj edhe koalicioni që ne do të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme, sepse LSI nuk do të hyjë e vetme në zgjedhje, pasi ajo do të hyjë me shumë faktorë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, do të jetë në radhë të parë koalicion principesh dhe vlerash dhe do të jetë një koalicion qëllimesh tepër fisnike, në radhë të parë për të ardhmen e vendit tonë”, tha Meta.
Duçkallari: PDS, koalicione programesh
Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari, u shpreh dje se kjo parti do të mbështesë çdo koalicion mbi bazë programesh dhe jo tepricash aritmetike. “Çdo ëndërr e keqe mbështetur në ambicie klanore me synime përjashtuese dhe jo përfshirëse, nëpërmjet një kodi zgjedhor ndërtuar mbi parimin e mbetjeve, tepricave dhe jo vlerave dhe programeve, mund të shkatërrojë ndërtimin e koalicionit të madh të së nesërmes, ndërsa shqiptarët presin një politikë dhe qeverisje ndryshe”, tha Duçkallari. Sipas tij, koalicionet nuk vlerësohen si instrumenti elektoral që do të na shërbejë vetëm për t’u marrë votat shqiptarëve, por edhe për t’u garantuar mirëqeverisjen në një mandat katërvjeçar me sfida të mëdha.
Braçe: Berisha, cinik me rrugët. PD: Mashtrim i radhës
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, akuzoi dje qeverinë dhe Kryeministrin Berisha se ka bërë cinikun gjatë përurimit të rrugës Tepelenë-Gjirokastër. “Sali Berisha bëri cinikun dje, duke u tallur sërish me gjithë jugun, kur bëri një përbetim qesharak, për mendjen e tij gjithmonë e më të vogël, nga e cila nuk do dilte dhe për një vit boshti i madh Qendror-Jugor, gënjeshtër edhe më e madhe se sa mendja e tij”, tha Braçe. Në një konference për shtyp, Braçe theksoi se, “Sali Berisha duhet të kishte mbaruar autostradat Lushnjë-Fier, Fier-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Fier-Vlorë, Shkodër-Hani Hotit dhe bypass të Fierit”. Sipas tij, “asnjëra prej tyre nuk ka mbaruar ndërkohë që afatet kontraktuale kanë përfunduar”. Ndërkaq zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, hodhi poshtë dje akuzat e socialistëve se Kryeministri Berisha po inauguron rrugë të cilat kanë nisur që në mandatin paraardhës. Duke folur në një prononcim për mediat, Bogdani tha se “zëdhënësi i parë i Ramës, deklaroi se rruga Gjirokastër–Tepelenë, për të cilën 10 ditë më parë e shpalli se nuk po përfundon dhe është e papërfunduar, është bërë me paratë e qeverisë socialiste. Ndërkohë, i tërë segmenti ka filluar ndërtimin pas dëbimit me votën e shqiptarëve nga pushteti të regjimit kleptokratik të qeverisë së tij dhe është ndërtuar në çdo km me fonde të përfshira brenda tavaneve buxhetore të qeverisë dhe maxhorancës që me punën e saj po ndryshon sot Shqipërinë”.