E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani/ Laze jep 200 mijë dollarë, lojtarët hedhin firmat

 

Të gjithë lojtarët e Elbasanit kanë nënshkruar dje kontratat me presidentin Arben Laze, duke i dhënë fund çdo spekulimi rreth të ardhmes së tyre, ndërkohë që kanë marrë edhe 200 mijë dollarë nga bosi i verdhebluve. Paralelisht me nënshkrimin e kontratave janë vendosur edhe premio speciale që kanë të bëjnë me arritjen e objektivave të sezonit të ri, i cili për Elbasanin nis sot në “Ruzhdi Bizhuta”, me ndeshjen kundër Apolonisë së Fierit. Të gjitha kontratat janë nënshkruar në prani të noterit. Ndërkohë, Laze ka shtuar se merkatoja është ende e hapur dhe deri në fund të saj mund të nënshkruajë kontrata të reja edhe me lojtarë të tjerë. Laze ka shtuar se shumë shpejt me verdheblutë mund të bashkohet edhe një mesfushor, emrin e të cilit nuk e ka bërë të ditur. Me grupin e nënshkruesve ka qenë edhe mbrojtësi Armand Mehmetaj, i cili pak ditë më parë kishte deklaruar se mund të largohej nga Elbasani, nëse nuk do t’i garantohej një vend titullari. Nuk dihet nëse ai e ka marrë një garanci të tillë nga trajneri Mirel Josa, por e sigurt është që mbrojtësi ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin përsa i përket anës ekonomike. Nënshkrimi në çdo faqe të secilës prej kontratave ishte një procedurë që e mërziti disi Lazen, i cili ia la një pjesë të tyre vëllait të tij, Elton Laze. Së bashku me vëllain e presidentit, në procedurën e nënshkrimit të kontratave me futbollistët ka qenë i pranishëm edhe mbikqyrësi i Sh.a Elbasanit, Ilir Bejtja. Nënshkrimi i kontratave ka përfunduar në mbërmje dhe lojtarët i janë drejtuar hotelit të grumbullimit, ku kanë ngrënë darkë dhe kanë nisur regjimin për ndeshjen e sotme kundër Apolonisë.                            a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›