Berisha del në punë, thërret në zyrë Topallin dhe Bashën
Gjendja shëndetësore e kryeministrit Berisha ka pasur përmirësime të lehta gjatë ditës së djeshme, por jo aq sa për ta lejuar të dalë realisht në punë. Berisha shtangu në podiumin e festës së 21 vjetorit të PD-së dhe pësoi një gjendje të fikëti. Ai mundi ti bëjë me shenjë truprojave, të cilët ndërhynë me shpejtësi duke e mbajtur për krahësh që të mos binte. Në këtë gjendje ai është nxjerrë nga Pallati i Kongreseve ku zhvillohej ceremonia.
Burime pranë kryeministrit thanë se ai ka qëndruar 15 orë në regjim shtrati, ndërsa mjekë të ndryshëm kanë bërë konsulta në banesën e tij. Për të treguar se gjendja e tij është në përmirësim, kryeministri ka insistuar që të dalë në punë. Në orën 11 e 40 minuta ai është parë të dalë nga shtëpia i shoqëruar nga eskorta personale dhe më pas ka hyrë në kryeministri. Burime nga kryeministria thanë se Berisha ka pasur vetëm dy takime me përfaqësues të PD-së dhe më pas është larguar sërish.
Takimet e kryeministrit mesditën e djeshme kanë hedhur dritë edhe mbi njerëzit që mund ta zëvendësojnë në krye të PD-së. Fillimisht ai ka thërritur në zyrë Jozefina Topallin. Kryetarja e Parlamentit dhe numri dy i PD-së ka qenë e para që ka reaguar në momentin që Berishës i ra të fikët dhe më pas ishte e para që doli përpara anëtarëve të PD-së duke i qetësuar për gjendjen e tij.
Pasi ka diskutuar me Topallin, Berisha ka thërritur në zyrë Lulzim Bashën, kreun e bashkisë së Tiranës dhe njeriun e tij të preferuar në PD. Prania e Bashës dhe Topallit në një zyrë ka lënë disi të habitur edhe vetë deputetët demokratë. Mes tyre ekziston një armiqësi e vjetër e cila u shfaq publikisht edhe dhjetë ditë më parë gjatë ceremonisë së varrimit të Leka Zogut, ku sherri mes tyre u zhvillua edhe përpara kamerave të medieve. Asnjë nga të pranishmit në takim nuk ka pranuar që të komentojë për atë që është diskutuar brenda zyrës së Berishës.
Kryeministri ka anuluar vizitën e programuar për në Malin e Zi, por do të shihet nëse sot do të zhvillohet apo mbledhja e qeverisë e programuar çdo të mërkurë.
Rekordet e Berishës
Mosha, sapo ka mbushur 66 vjeç, dhe 21 vitet aktive në politikë, duket se kanë ndikuar në gjendjen fizike të kryeministrit Berisha. Si për të sfiduar të gjithë ata që thonë se ai nuk mundet më, Berisha ka dalë në zyrë vetëm një ditë pasi i ra të fikët në podium. Për ata që e njohin nuk është habi pasi kryeministri prej vitesh po tenton të bindë njerëzit se fizikisht është shumë mirë. Duke nisur nga rekordi që habiti edhe vetë kinezët për faktin se një kryeministër ngjit në këmbë Murin e Madh Kinez dhe duke përfunduar tek minutat e kronometruara e të përkthyera në rekord për qëndrim në ujin e detit, Berisha ka dhënë prova se do të vazhdojë sa të ketë frymë.
Çfarë është lipotimia
Lipotimia (të fikëti) është shkalla më e ulët e humbjes së ndjenjave. Shkaku mund të jetë mungesa e furnizimit të mjaftueshëm me oksigjen të trurit, për shkak të rënies së presionit arterial. Kjo gjendje mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm: lodhje, nxehtësi e tepërt, oksigjenim i keq i ambientit, hemorragji, trauma fizike ose emotive, rënie e tensionit ose hipoglicemi. Në gjuhën mjekësore quhet ulje e tensionit të gjakut në shifra poshtë 60mmHg. Shkaqet e kësaj gjendjeje janë sëmundjet e gjakut, sëmundjet e zemrës dhe stresi nervor.
Shenjat e lipotimisë
Shenjat e lipotimisë janë djersë në të gjithë trupin, dobësi e menjëhershme sa i sëmuri gati rrëzohet, humbje e ngjyrës së lëkurës etj. Në këto raste i sëmuri duhet të shtrihet dhe ti ngrihen këmbët më lartë se sa koka duke i vendosur disa jastëkë.
* * * *
Berishës i bie të fikët në mes të fjalimit, ndërpritet festa e PD
Kryeministri Berisha ka ndërprerë fjalimin mbrëmjen e djeshme gjatë ceremonisë së 21 vjetorit të themelimit të PD-së për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai ka pësuar një gjendje të fikëti duke mbetur si i ngrirë në podium. Dy prej truprojave të tij janë afruar menjëherë dhe e kanë kapur nga krahët pasi ai nuk ishte në gjendje që të mbante ekuilibrin. I shoqëruar nga truprojat Berisha ka dalë nga salla dhe menjëherë pas tij ka dalë edhe e shoqja. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe është dërguar në shtëpi.
***
Teksa po mbante fjalimin Berisha është ndjerë keq dhe është shtangur në podium. Ai ka mundur ti bëjë me shenjë dy prej truprojave të tij personale, të cilat janë afruar menjëherë tek podiumi. Shefi i eskortës ka ndaluar njerëzit e tjerë që të afrohen dhe ka kapur kryeministrin Berisha nga krahu. Ndërkohë truproja e dytë ka mbledhur letrat e fjalimit, të cilat i kishin rënë Berishës nga duart. Një kordon truprojash ka ndaluar njerëzit e tjerë të afroheshin podiumit që ndodhej në Pallatin e Kongreseve. Të vetmit që kanë mundur të kalojnë këtë podium ishin bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Dy truprojat e kanë kapur kryeministrin nga krahët dhe e kanë shoqëruar jashtë sallës. Ai dukej qartë se nuk mund të ecte vetë pasi kishte humbje të ekuilibrit. Gjatë kësaj kohe salla kishte shtangur nga habia. Pjesëmarrësit në ceremoninë e 21 vjetorit të themelimit të PD-së kanë heshtur duke parë me habi atë që po i ndodhte kryeministrit. Teksa Berisha po dilte nga salla, regjia ka lëshuar muzikën dhe kjo ka përmendur pjesëmarrësit, të cilët kanë nisur të duartrokasin.
***
Largimi i Berishës nga salla ka shënuar edhe mbylljen e festës së 21 vjetorit të PD-së. Kreu i qeverisë është nxjerrë nga dera në krahun e djathtë të sallës dhe është vendosur pas kuintave. Pak çaste më pas përpara hyrjes së Pallatit të Kongreseve kanë mbërritur ambulancat dhe mjekë të shumtë. Disa prej mjekëve kanë hyrë në pjesën e pasme të sallës dhe i kanë dhënë kryeministrit ndihmën e parë mjekësore. Gjatë kësaj kohe pranë tij ka qenë edhe e shoqja, Liri Berisha.
Teksa makinat e ambulancës ndodheshin në pjesën përpara Pallatit të Kongreseve, Berisha ka preferuar të dalë nga krahu i djathtë, andej nga kryhen edhe mbledhjet e KRRTRSH-së. Ai ka hipur në makinë i shoqëruar vetëm nga shefi i truprojave, i njëjti person që e mbajti në momentin kur humbi ekuilibrin në podium, dhe nga e shoqja Liri Berisha. Makinat e tjera të eskortës e kanë shoqëruar 0007 Z-në, e cila është drejtuar për në shtëpinë e kryeministrit. Kreu i qeverisë ka preferuar të mjekohet në shtëpi dhe paralelisht me makinat e eksortës, përpara banesës së tij kanë ndaluar edhe ambulancat.
Topi i shmanget festës
Presidenti Bamir Topi ka shmangur pjesëmarrjen në festën e organizuar nga Partia Demokratike me rastin e 21 vjetorit të themelimit të saj. Kreu i shtetit ka shfrytëzuar vizitën disa ditore në Katar për të mos marrë pjesë në koncertin festiv. Mazhoranca ka sulmuar vazhdimisht kreun e shtetit duke i rrëzuar në disa rastet edhe dekretet e tij për plotësimin e vendeve të mbetura vakante në institucion.
Edi Rama
Lajmi për gjendjen jo të mirë të kryeministrit Berisha ka bërë jehonë pothuajse në të gjithë vendin. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, rivali i tij politik dhe kreu i PS-së, Edi Rama ka komentuar në faqen e tij në rrjetin social Tëitter duke i uruar të shkuara: Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndjej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jetë asgjë serioze për shëndetin. Të shkuara!
Mbështetësit
Lajmi se kryeministri Berisha ka pasur probleme shëndetësore dhe ka kaluar një gjendje të fikëti ka mbledhur përpara Pallatit të Kongreseve qindra kureshtarë. Një pjesë e t