Një letër për Ambasadorin Volfart
I nderuar Zoti Ambasador,
Përmes ekranit televiziv ndoqa ceremoninë e organizuar nga ana juaj, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Shumë mirë që nuk e harruat këtë ditë dhe unë, si qytetar i këtij vendi që ka aq shumë probleme në këtë fushë, e vlerësoj nismën Tuaj për pritje dhe koktejle.
Por një gjë më ra në sy dhe dua ta them publikisht: e vështrova me vëmendje kronikën e asaj ceremonie, me mendimin se do të shihja edhe fëmijët e katër baballarëve të vrarë nga policia e shtetit në demostratën e 21 janarit të këtij viti, në Bulevardin e madh të Tiranës. Mirëpo ata nuk ishin aty. Mendoj se ata fëmijë jetimë do ti jepnin një kuptim më konkret, por edhe më simbolik Ditës së të Drejtave të Njeriut. Prandaj ata duhet të ishin aty. Natyrisht kjo nuk ndodhi sepse Ju, personalisht, para disa ditëve, e shpallët të mbyllur dosjen e 21 janarit, si një çeshtje të kaluar tashmë, edhe pse dheu që mbulon trupat e katër burrave të vrarë atë ditë, është akoma i freskët, ndërsa fajtorët direktë vazhdojnë të mbajnë edhe armët, edhe karriget që kishin.
Ju thoni se 21 janari është një çështje e mbyllur, por teksa shkruhen këto rreshta, një komision qeveritar vazhdon të hetojë puçin e shtetit. Dosja e 21 janarit u pasua nga dosja e 8 majit, edhe ajo e mbyllur tashmë, sipas Jush. Sepse dosjet e krimit të pandëshkuar gjithmonë pjellin njëra-tjetrën. Kur thua A, do të thuash edhe B! Kjo duket tepër e çuditshme, sepse në të dyja rastet që përmenda, Ju keni qenë dëshmitar i rreshtit të parë. Keni qenë prezent apo jeni informuar për këto ngjarje, sidomos në rastin e 8 majit, ku ishit dhe dëshmitari okular i grabitjes së votave. Prandaj, duhej pritur që në Ditën e të Drejtave të Njeriut, ju të kishit dhënë dëshmitë Tuaja për shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Megjithatë, individualisht Ju mund të flisni sipas ndërgjegjes dhe interesave Tuaja kjo është një e drejtë e pamohueshme por të paktën mos flisni në emër të organizatës që përfaqësoni. Sepse, në këtë mënyrë, Ju e diskretitoni organizatën dhe dëmtoni edhe popullin e vendit ku Jeni akredituar. Në qoftë se roli i OSBE qënka mbyllja e dosjeve të krimit dhe hapja e shisheve të birrës, atëhere të paktën, paraqituni si individ dhe jo si ambasador!
