Kom. i Ekonomisë shqyrton sot kandidaturën e Leskajt
Pas marrjes së “OK” nga grupi parlamentar demokrat, kandidatura e Bujar Leskajt për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit pritet të shqyrtohet sot në Komisionin e Ekonomisë.
Në mbledhjen e sotme pritet që deputetët e mazhorancës të votojnë pro emrit të Bujar Leskajt si kreu i ri i KLSH-së ndërsa opozita ka deklaruar se do të votojë kundër dekretit të presidentit Topi për këtë institucion.
Grupi parlamentar i PS-së vendosi dje që do të votojë kundër kandidaturës së Leskajt edhe në seancën plenare ku është paralajmëruar qartazi mosthyerja e rregullores së grupit, duke sheshuar kështu çdo të papritur që do të sillte votë në favor të kandidaturës së Leskaj.
Ndërkohë dy ditë më parë, Bujar Leskaj ka marrë pëlqimin e ish kolegëve të tij dhe të shefit të mazhorancës dhe pritet që ky pëlqim të konkretizohet me votë që nga diskutimi në komisionin e ekonomisë dhe më pas në seancën plenare.
Dekretimi i emrit të Bujar Lesksajt si kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit u bë nga presidenti Topi në 17 nëntor.