Maratona, 48 orë për një film
Kineastë të rinj, por edhe amatorë apo të pasionuar pas kinemasë, do të bëhen nesër pjesë e një maratone: të krijuarit e një filmi në 48 orë. Robert Aliaj, në rolin e producentit dhe Andi Tepelena, si drejtor organizativ, kanë prezantuar dje nisjen e “Tirana 48 hour film project", një festival mbarëkombëtar i filmit të shkurtër. Tarraca e një pallati do të shërbejë për hedhjen e shortit sot në mbrëmje, ora 18.30, ku për pjesëmarrësit do të përcaktohen edhe temat që do të trajtohen në filmat e shkurtër. Ky është një format i njohur i themeluar në maj të vitit 2001, kur Mark Ruppert ftoi kineastët të bëheshin pjesë e eksperimentit për të realizuar një film në 48 orë. Vetëm një vit më parë Aliaj ishte fitues i këtij projekti për Belgjikën, e që aty fitoi të drejtën për të sjellë këtë format në Shqipëri. “Mbi të gjitha ne synojmë promovimin dhe nxitjen e kineastëve të rinj, sepse kjo është një platformë që e promovon punën e tyre edhe jashtë Shqipërisë. Filmi fitues ka për të konkurruar me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin "Best 48 hour film of the year 2010" në Los Anxhelos, ndërkohë që të gjithë filmat e tjerë do të kenë mundësi të marrin pjesë në festivalet kryesore botërore për filmat e shkurtër”, shprehet Andi Tepela, drejtori ekzekutiv. Ky format parashikon që gjithçka të realizohet në 48 orë: shkrimi i skenarit, xhirimi e më pas montimi. Maratona filmike nis sot pasdite në orën 18.30 dhe përfundon të dielën në po të njëjtën orë. Të gjithë filmat e realizuar në këtë projekt do të shfaqen në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar dhe pas një jave do të shpallet fituesi. Tepelena thekson se temat që do të trajtohen kanë të bëjnë me fenomene që janë shumë të prekshme në shoqërinë e sotme shqiptare, si abuzimi me pushtetin apo tema të ndryshme sociale, por që njëkohësisht kanë jehonë edhe për një publik të huaj. “Prej tri vjetësh ëndërroja ta sillja në Tiranë këtë format, sepse kam menduar që u përshtatet kushteve sociale dhe politike në të cilat ne jetojmë. Nga ana tjetër mendoj se të rinjtë duhen mbështetur për të bërë filma”, shprehet Robert Aliaj, i cili me këtë format e bën Shqipërinë pjesë të rrjetit të 81 vendeve në të cilat realizohet ky format. Ndërkohë që “DigitAlb” është partneri mediatik i këtij festivali.
#