E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dërgon përgjegjësinë në SHIK: ”Do të ketë reformë”

Kryeministri shpërndan përgjegjësinë tek individë dhe institucione. Me dorëheqjen e Mediut duket se përgjegjësia politike ka marrë fund
Erald Kapri

Kryeministri Sali Berisha ka faturuar përgjegjësinë për ngjarjen e rëndë në fshatin Gërdec. Institucionet e sigurisë kombëtare, si dhe individët që i drejtojnë ato, duket se do të marrin përsipër përgjegjësinë kryesore të ngjarjes që tronditi vendin. Kryeministri Berisha u shpreh ditën e djeshme se drejtësia duhet të nxjerrë përgjegjësitë dhe personat përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Lideri i maxhorancës nuk kurseu asnjë kërkesë për sistemin e drejtësisë duke kërkuar që ngjarjes t’i shkohet deri në fund. Kryeministri ka bërë të ditur edhe përgjegjësit e kësaj tragjedie. Sipas tij, përgjegjësia nuk është te qeveria, por te institucionet e sigurisë kombëtare dhe përgjegjësit e tragjedisë janë drejtuesit e këtyre institucioneve. Kryeministri Berisha nuk komentoi në lidhje me kërkesat e opozitës për të dhënë dorëheqjen, por duket se përgjegjësia politike ka marrë fund për kryeministrin me dhënien e dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Përgjegjësitë
Kryeministri Berisha u shpreh para mediave se drejtësia duhet të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë dhe personat përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe t`i vendosë ata para ligjit, si kushti më i domosdoshëm për t`i dhënë përgjigjen ligjore asaj që ndodhi. Sipas tij, ngjarja e Gërdecit ka faktuar tre probleme. “Së pari, dua të them se tre janë problemet më madhore të asaj që ndodhi. E para, qeveria dhe institucionet duhet të bëjnë çdo gjë për rindërtimin sa më të shpejtë të zonës. Së dyti, drejtësia duhet të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë, personat përgjegjës dhe t`i vendosë para ligjit si kushti më i domosdoshëm për t`i dhënë përgjigjen ligjore asaj që ndodhi. Së treti, përveç përgjegjësive personale, ekzistojnë përgjegjësitë institucionale, të cilat ju siguroj ju se si këtu dhe në çdo vend tjetër kanë vetëm një përgjigje: reformimin dhe vetëm reformimin”, - u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri vijoi më tej duke thënë se institucionet e sigurisë kombëtare do t’i nënshtrohen një reforme të plotë. “E them këtë jo për të shmangur përgjegjësitë personale e individuale, por problemi është se duhet të parandalohen situata të tilla dhe në qoftë se ne duam që sistemi ynë i sigurisë të jetë tjetër, të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare duhet t`i nënshtrohen një reforme të thellë, e cila do të synojë bashkërendimin, koordinimin dhe bashkëveprimin e tyre në një sintoni dhe harmoni të plotë në mënyrë që të parandalohen”, - vijoi më tej kryeministri Berisha.
Reforma
Sipas liderit të maxhoranës, do të merren masa të menjëhershme për të parandaluar një “Gërdec” të dytë. “Ky është sensi i reformave dhe unë mbetem shumë i vendosur të bëj çdo përpjekje në këtë drejtim. Institucionet e sigurisë së shtetit kanë nevojë për një reformim të thellë. Institucionet duhet të funksionojnë dhe secili duhet të mbajë përgjegjësinë e tij. Po nuk u ndërmorën këto reforma, situata të tilla mund të përsëriten në mënyrë periodike”, - u shpreh kryeministri Berisha. Më tej, ai kërkoi nga prokuroria të veprojë më shpejt në punën e saj. “I bëj thirrje prokurorisë, e cila po punon intensivisht, të nxjerrë çdo përgjegjësi ligjore dhe individuale me vendosmërinë më të madhe, por krahas kësaj duhen reforma”, - u shpreh kryeministri Berisha. Lidhur me procesin e shpërndarjes së ndihmave, kryeministri Berisha tha se po ecet me shpejtësi shumë të madhe në vlerësimin financiar të dëmit material. “Janë vlerësuar deri tani 1400 banesa dhe kam shumë shpresë që vlerësimi përfundimtar të bëhet brenda fundjavës. Qeveria është e gatshme të mblidhet në çdo kohë për të bërë rialokimin e buxhetit për të rregulluar fondin e nevojshëm për disbursim, i cili do të fillojë shumë shpejt”, - përfundoi kryeministri Berisha.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›