Punëtorët e pasiguruar, alibia e koperturës
Interesante është fjala e dy ditëve më parë e Presidentit Topi lidhur me përgjegjësitë e institucioneve në Gërdec. Në të njëjtën gjatësi vale është shprehur dhe Berisha nga ana e tij, duke bërë përpjekje për të thurur alibinë e paralizimit të administratës shtetërore. “Si shpjegohet që askush nuk na kishte vënë në dijeni për këtë gjendje në terren? E kam fjalën për SHIU-n, SHISH-in, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, shërbimet e autoritetit fiskal, ato të punës dhe të autoriteteve monitoruese të shëndetit paraprak, prej të cilave nuk ka patur as edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec. Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostradës kryesore të vendit”, - është shprehur Presidenti. Por Presidenti “ka harruar” të thotë se zoti Delijorgji ka marrë një licencë në Ministrinë e Financave e për më tepër ka patur një kontratë demolimi me një kompani amerikane. Në këtë moment, përgjegjësia është direkte e Ministrisë së Mbrojtjes. Por kjo e fundit nuk kishte dërguar sikur një ekspert të vetëm aty. Për më tepër, përveç armëve të lehta kishte depozituar edhe një “mal” me municione të rënda, me të cilat “luanin” gra dhe fëmijë.
Pse 3 mijë tonë municione në një vend të vetëm?
Sipas dëshmisë së Mihal Delijorgjit, në fabrikë përpunoheshin jo më shumë se 10 tonë municione në ditë. Në këto kushte lind pyetja përse duhej depozituar aty një sasi kaq e madhe municioni në kushtet kur shumica e punonjësve punonin part-time? Si mundej që gra dhe fëmijë të ishin në gjendje të çmontonin rreth 10 tonë predha në një ditë kur nuk ishin trajnuar as edhe një orë? E vërteta është se nuk bëhej fjalë fare për çmontim, por për pastrim me benzinë. Është pikërisht kështu. Në fakt, predhat vetëm sa “laheshin” me benzinë pasi për shumë vite kanë qenë të magazinuara dhe duhej që të shiteshin sa më shtrenjtë e të shndritnin “në tregun e paligjshëm të armëve”.
Arkat prej druri, sekreti i vërtetë
Gazeta ”Albania” ka mundur të sigurojë një numër të konsiderueshëm kontratash (të cilat do të botohen ditët në vijim) për shitblerje armësh të bëra nga shoqëria MEICO, ndërsa mes rreshtave të këtyre kontratave del në pah një element shumë i rëndësishëm i marrëdhënieve mes palëve. Në të gjitha termat e kontratave, blerësit e interesuar pranë MEICO-s kanë kërkuar që municionet e rënda të paketoheshin në arka prej druri. Arsyeja? Është e thjeshtë, arkat e hekurit janë rreth 12-14 herë më të rënda, fakt ky që 12-fishon koston e transportit ajror, i cili llogarit ngarkesat me tonë/km. Kështu që nuk është e vështirë të kuptosh se më së shumti punonjësit në Gërdec transportonin predhat nga arkat prej hekuri në ato prej druri.
Pranë Rinasit, autostradës e Durrësit
Vendndodhja e fabrikës flet për një tjetër pistë shumë domethënëse të trafikimit të paligjshëm të municioneve. Pikësëpari, afërsia me vendet e tranzitit ul shumë kostot e transportit, por mbi të gjitha krijon një disponueshmëri të lartë. Kjo do të thotë se në arsenalin e pafund të municioneve të Gërdecit nëse do të kishte ”porosi” mjafton të ishte avioni, anija dhe furgonët gati, pasi armët ishin gati dhe shumë pranë. Kësisoj, afërsia me këto pika ishte patjetër një vendndodhje e mirëmenduar nëse i referohesh faktit se vendndodhjen e kanë përcaktuar autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes të cilët e dinin shumë mirë se nuk mund të lihej ”bomba” në mes të fshatit. Por mesa duket, bomba ka qenë shumë frytdhënëse dhe e leverdisshme nëse lihej në mes të fshatit, pasi ky i fundit ”nuk ndihej”.
Ministria e Jashtme dhe Auditi nuk janë ndier
Një tjetër pikëpyetje lidhet edhe me rolin e Ministrisë së Jashtme dhe të Auditit të Ministrisë së Mbrojtjes që çuditërisht janë dy institucionet e vetme të implikuara që nuk janë përmendur nga Presidenti dhe Kryeministri. Pakkush e di, por asnjë shitje nuk mund të kryhet nga MEICO nëse mbi kontratë nuk firmos dhe Ministria e Jashtme. Kjo për faktin se është pikërisht Ministria e Jashtme që shikon vendmbërritjen e armëve dhe analizon të drejtën ndërkombëtare të transportit (për vendet në embargo etj). Kësisoj dhe Ministria e Jashtme duket se ”nuk po ndihet” lidhur me këtë fakt. Mund të ndodhë që trafiku është bërë në mungesë të plotë të dijenisë të Ministrisë së Jashtme, por municionet që janë trafikuar kanë qenë diku të regjistruara dhe të inventarizuara. Në këto kushte, lind pyetja: po Auditi i Ministrisë çfarë ka bërë? Edhe ky institucion as nuk është përmendur fare nga Kryeministri dhe Presidenti, që çuditërisht fajësojnë institucionet më pak përgjegjëse.
24 Mars 2008