Mediu, padi biznesmenit Kosta Trebicka
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po përgatitet të padisë në gjykatë biznesmenin Kosta Trebicka. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes shprehen se ish-ministri Fatmir Mediu, i cili mban ende detyrën e ministrit deri në votimin në Kuvend të Gazmend Oketës, po përgatit me juristët e tij padinë ndaj biznesmenit Trebicka për shpifje. Duket se ish-ministri do të vërtetojë tezën e tij se nuk ka bërë asnjë veprim antiligjor gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Sipas burimeve, ish-ministri ka kërkuar ngritjen e kësaj padie në prokurori sapo u njoh me dëshminë e tij gjatë emisionit të gazetarit Arian Çani në Vizion Plus. Ndërkohë, bashkë me dorëheqjen, ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, ka vënë në dispozicion dhe kontratat origjinale në anglisht të firmës “Southren Ammunition Company” dhe asaj shqiptare “MEIKO” me drejtor ekzekutiv Ylli Pinarin. Në këto dokumente deklarohen shifra dhe të dhëna specifike mbi municionet dhe format e kontraktuara që kishin marrë përsipër të çaktivizonin në repartin e Gërdecit në Vorë. Në kontratën e parë, që mban datën 6 qershor 2007, thuhet se kompania amerikane “Southren Ammunition Company” do të merrte përsipër asgjësimin e fishekëve të kalibrit 7.61 X 54 milimetra të sasisë prej 100 milionë copë. Në kontratë thuhet që pagesat do të kryheshin për çdo muaj pas dorëzimit të municioneve në fabrikën e Gërdecit në Vorë. Transportimi i municioneve deri në fabrikën e Gërdecit ishte marrë përsipër nga firma shtetërore “MEICO” dhe ky territor do të ishte në shërbim të firmës amerikane deri në fund të kontratës. Gjithë procedurat e asgjësimit dhe të çaktivizimit të municioneve do të bëheshin nën masa të forta sigurie sipas të gjitha të dhënave teknike. Firma amerikane do të merrte përsipër ndërtimin e një godine sipas kushteve teknike gjithashtu ajo duhet të punësonte 1 deri në 10 specialistë amerikanë për të mbikëqyrur procesin. Kontrata e parë me SAC duhet të përfundonte brenda 8 muajve sipas pikës numër një të kësaj kontrate.
E. Kapri
24 Mars 2008