Gërdec, municionet nuk çmontoheshin, bëheshin gati për trafikim
Faktet dhe dëshmitë zbardhin qëllimin e fabrikës. Gjithçka ishte informale dhe rreptësisht e kontrolluar
Habjon Hasani
Në Gërdec mblidheshin municione të rënda, ripaketoheshin dhe më tej niseshin pa inventar për t’u shitur kush e di se ku. Prej gati një jave, autoritetet shqiptare janë munduar ta përqendrojnë debatin lidhur me këtë çështje kryesisht në dy pista kryesore, të cilat janë: trafiku i fishekëve dhe punëtorët e pasiguruar. Duket se debati për këto dy çështje i shkon shumë për shtat në këto momente qeverisë, sepse, megjithëse në këto dy çështje qeveria rezulton tërësisht e komprometuar, vëmendja mbi këto çështje lë në harresë atë më të rëndësishmen: çfarë kërkonin municionet e rënda në një bazë ku punonin civilë e ku qeveria thoshte se përgatiteshin fishekë?! Duket se disa dëshmi të banorëve kanë hedhur dritë lidhur me një fakt të rëndë. Shumica e tyre ka deklaruar se punonin me kohë të pjesshme dhe se më së shumti kryenin ripaketimin e materialeve ushtarake dhe pastrimin e tyre. “Albania” do të botojë në mënyrë telegrafike çështjet më kryesore që hedhin dritë lidhur me “fabrikën” fantazmë që më shumë se gjithçka duket se ripaketonte dhe niste në treg të zi për t’u shitur armatimet e rënda.
Zyrtari
Dy ditë më parë, një zyrtar i lartë i huaj, i cili ka dijeni për zhvillimet, i ka thënë “Albania”-s se të dhënat konsistojnë në dy pista dhe linja të shkëputura trafikimi të armëve. “Linja e parë është gjobëvënia që i është bërë qeverisë amerikane dhe kjo nuk ka ndonjë lidhje të faktuar me manifakturën e Gërdecit. Kjo manifakturë mbante dhe përgatiste dhe predha të ndryshme ose armë të përmasave të mëdha. Ndërkohë që kontrata mes Ministrisë suaj të Mbrojtjes dhe Departamentit Amerikan të Mbrojtjes ishte fokusuar kryesisht në blerjen e fishekëve. Zbulimi i municioneve kaq të rënda në Gërdec automatikisht pjell një linjë të dytë të mundshme të trafikimi të armëve”, - ka deklaruar dje për “Albania”-n zyrtari i huaj, i cili për mëse gjashtë muaj ka qenë në dijeni të zhvillimeve që kulmuan me botimin e bisedave të regjistruara telefonike. Jo vetëm deklarata e zyrtarit të huaj, por edhe një sërë faktesh dhe momentesh, japin sinjale serioze për ekzistencën e një fabrike mirëfilli të tranzitimit dhe trafikimit të armëve.
Superkontrolli
Ndonëse dy ditë më parë kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi kanë bërë “gjyq” publik për Shërbimin Informativ Ushtarak (që sipas tyre nuk njoftoi njeri), duket se gjendja nuk ka qenë dhe aq alarmante në kushtet kur krerët e pushtetit kishin lejuar administratorin e kësaj ndërmarrjeje të shantazhonte deri dhe përfaqësues të firmave amerikane të shitblerjes së armëve. Por përveç kësaj lidhjeje të shkurtër, del se në këtë fabrikë nuk punonte asnjë ushtarak, por njerëz tërësisht civilë dhe që për më tepër ishin të patrajnuar. Sakaq, koperturë doli se ishte përdorur një firmë amerikane e quajtur “Southern Ammunition”, për pasojë del se nuk kemi të bëjmë më me çështje ushtarake por me një biznes mirëfilli privat. Por edhe biznes mirëfilli privat është vështirë të quhet nëse mendohet se aty paketohehsin dhe përgatiteshin predha dhe municione të tjera të rënda. Kështu që duket se një mendje e zgjuar ka krijuar një “fantazmë perfekte”, së cilës i qëndronte larg si SHISH-i ashtu edhe SHIU.
24 Mars 2008