Karabina: “Kontrata me Departamentin e Shtetit është histori më vete”
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ka dalë publikisht për të ndarë “shapin nga sheqeri” lidhur me amullinë e krijuar për implikimin e “elementit amerikan” në çështjen e Gërdecit dhe kontratave që Ministria e Mbrojtjes ka lidhur me shtetin por dhe me privatët amerikanë. “Kontrata me Southern Ammunition Company është krejt tjetër nga kontrata me AEY ltd. Kontrata me AEY është bërë për shitje municioni dhe fishekësh për në Afganistan dhe është miratuar edhe nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes”, - ka deklaruar Karabina. Më tej, ai ka deklaruar se dhe kontrata me Southern Ammunition Company ka përfunduar në vitin 2007 dhe më tej është vijuar nga një firmë shqiptare, e cila mori përsipër dhe çmontimin e municioneve më të rënda. Por duket se për pretendimin e dytë të “SAC”, Karabina bie pak në kundërshtim me faktet pasi kontratat kanë treguar se “SAC” është 25 për qind aksionere me kompaninë shqiptare “ALB DEMIL”, e cila është marrë direkt me të ashtuquajturin çmontim në Gërdec.
24 Mars 2008