E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gërdecit, një ekip i OKB-së vjen në Tiranë

Një javë pas tragjedisë së Gërdecit, një ekip i specializuar i Kombeve të Bashkuara mbërriti dje në Tiranë me kërkesë të qeverisë shqiptare. Ekipi përbëhet nga ekspertë të Vlerësimit të Fatkeqësive dhe Koordinimit të Kombeve të Bashkuara (UNDAC) dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, (OCHA). Ky ekip mësohet se do të punojë me qeverinë shqiptare për të bërë të mundur një vlerësim të shpejtë të nevojave prioritare pas shpërthimit yë fabrikës në Gërdec. “Kombet e Bashkuara janë të gatshme të asistojnë Shqipërinë përgjatë tragjedisë”, - tha Gülden Türköz-Cosslett, përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it dhe Koordinatore e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Ekipi i OKB-së, që do të qëndrojë për dy javë në Shqipëri, do të mbështesë autoritetet në çështje të planifikimit strategjik dhe koordinimit të mbështetjes ndërkombëtare. Në një njoftim të PNUD-it thuhet se ekipi përbëhet nga gjashtë anëtarë, ekspertë të planifikimit civil të emergjencave, komunikimit, logjistikës, të koordinimit dhe menaxhimit të emergjencave, si dhe ekspertë të vlerësimit të impaktit mjedisor. “Në të njëjtën kohë, shumë Agjenci të Kombeve të Bashkuara në vend janë duke ndihmuar Shqipërinë dhe jemi të sigurt se ky ekip profesionistësh do t’i ndihmojë shumë autoritetet shqiptare dhe komunitetin e prekur nga tragjedia”, - thuhet më tej në njoftim.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›