E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoria e Inspektimit në Lezhë, pas ankesës së Nishanit

Dosja “Bushi” Prokuroria e Përgjithshme “heton” përfaqësuesin e akuzës që kërkoi lirinë

Lirimi i “fshehtë” i Astrit Bushit nga Gjykata e Lezhës ka ngritur në këmbë drejtësinë shqiptare, pasi laçiani kërkohet me ngulm nga drejtësia spanjolle për dhjetëra krime në këtë shtet. Ankesa e Ministrisë së Drejtësisë për prokurorin që ka kërkuar në gjykatë lirimin e tij, ka mbërritur në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme prej disa ditësh dhe menjëherë kanë filluar verifikimet e para. Burimet zyrtare nga akuza qendrore thanë për gazetën “Shqip”, se prokurori i Lezhës, që kërkoi lirimin nga burgu të Astrit Bushit, është nën “hetim” nga Drejtoria e Inspektimit, e cila ka filluar një verifikim të plotë të rastit në fjalë dhe rezultatet do ia servirë kryeprokurores Ina Rama. “Prej disa ditësh, Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka filluar një verifikim të dosjes ‘Bushi’. Në drejtim të Prokurorisë së Lezhës janë nisur disa inspektorë, të cilët po përgatisin raportet përkatëse për kryeprokuroren Ina Rama. Rezultatet e kontrollit do t’i serviren edhe Këshillit të Prokurorisë, i cili do të përcaktojë nëse ndaj shkelësve të ligjit do të merren ose jo masa ndëshkimore. Megjithatë, çështja është në hapat e parë dhe të gjitha verifikimet po kryhen në bazë të ligjit ‘për prokurorinë’” thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se rezultatet e inspektimit do t’i bëhen të ditura edhe Presidentit të Republikës, si dhe Ministrit të Drejtësisë.

Astrit Bushi është liruar nga Gjykata e Lezhës në shtator të këtij viti. Pas kërkesës për dënim alternativ, mësohet se ka qenë prokurori ai që ka kërkuar ta kalojë pjesën tjetër të dënimit në “arrest shtëpie”, dhe nuk e ka ulur një masë të tillë gjykata. Mësohet se bashkëshortja e tij ishte ankuar pranë drejtësisë, pasi kishte mësuar për shërbimin e provës dhe dënimin alternativ dhe kërkonte lirimin e burrit të saj, duke e motivuar me faktin se nuk kishte mundësi të mbante fëmijën e saj. Në këto kushte është hapur një proces në Lezhë. Prokurori, i cili përfaqësonte akuzën për këtë çështje, kur ka lexuar pretendimet e tij është shprehur se, Astrit Bushi duhej të lihej në arrest shtëpie për pjesën e mbetur të dënimit për armëmbajtje pa leje, pavarësisht se prej vitesh ai hetohet për vrasjen e një polici të FNSH-së në Laç, si dhe kërkohet me ngulm nga drejtësia spanjolle. Në këto kushte, gjykata ka dhënë një vendim për masën e kërkuar nga vetë prokurori.

Astrit Bushi u kap më 11 dhjetor, në qendër të Laçit. Sipas të dhënave, ai sapo kishte dalë nga shtëpia, kur u përball me tre makina civile të RENEA-s, të cilët e vunë në pranga. Ai ka tentuar të largohet me mjetin e tij, por është neutralizuar. Gjatë arrestimit iu gjet edhe një armë. Në Shqipëri dyshohet për vrasjen e një polici, ndërsa në Spanjë ai akuzohet për vjedhjen dhe dhunimin e një producenti të famshëm. Sipas të dhënave nga dosja spanjolle, ai ka kryer në këtë shtet disa vjedhje me armë. Lirimi i tij u komentua shumë disa vjet më parë në Spanjë, madje u akuzua një gjyqtar për ryshfet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›