Berisha dhe analistët më të shquar europianë: “Duhet bashkëpunim mes shtetesh për daljen nga kriza”
Në seminaret e fundit, të zhvilluar në Francë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u fol më së shumti për modelet e reja të rritjes, të ndryshimeve dhe të novacionit për të cilat ka nevojë bota e re. Fakti që atje mori pjesë edhe kryeministri shqiptar është një tregues se Shqipëria në këto kohë krizash po shërben edhe si një shembull që mund t’i vlejë të tjerëve. Natyrisht ka edhe zëra (fatkeqësisht vetëm në Shqipëri) që nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur pjesëmarrjes të kryeministrit shqiptar në këtë Seminar. Por në fjalën e tij kryeministri Berisha foli qartë (ndoshta edhe për cicëruesit e këtushëm) se në Shqipëri “nga viti 2006 në vitin 2011, të ardhurat u rritën të gjitha së bashku, në mënyrë akumulative, 6 miliardë dollarë amerikanë”, që “Eksportet në vitet 2007 - 2011 u trefishuan” ndërsa në periudhën 2009 - 2011 u dyfishuan. Por në fjalën e kryeministrit shqiptar mund të veçohen si shumë të rëndësishme frazat që ai përmendi mbi solidaritetin që duhet të ekzistojë mes qeverive. “Nga ana tjetër - do të theksonte kryeministri Berisha - unë jam shumë i bindur që në këtë krizë, solidariteti mes qeverive është i nevojshëm”. Por në të njëjtën kohë, është e natyrshme që çdo shtet duhet të kryejë detyrat e veta, të vendosë rregullin në llogaritë e tij për të bërë akoma dhe më kompetitive ekonominë e tij. Duhen natyrisht manovra dhe reforma për të shkuar drejt rritjes por mbi të gjitha duhet edhe forca e solidaritetit mes shteteve dhe veçanërisht e shteteve të Europës. Duhet bashkëpunim siç do të theksonte edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Sepse në të kundërt kriza në vend që të përmbahej do të avanconte përpara. Sepse tashmë është e ditur që kriza e euros po shihet qartë edhe në raport me dollarin dhe ndërkaq problemet po i hasin, veçmas Greqisë, edhe Spanja, Italia pa përjashtuar vetë Francën. Për një hop duket si një krizë e euros përpara se të jetë një krizë e debisë sovrane. Europa e sotme, sipas ndonjë analisti, është si një vazo e brishtë ndërsa dikush tjetër akoma do të nënvizonte se tashmë po rrezikohet e gjithë arkitektura e euros. Nga ana e tij, Enrico Perotti në një artikull në Financial Times e ka krahasuar krizën aktuale me zjarrin e madh që shkatërroi Londrën në vitin 1966, zjarr që nisi nga një shkëndijë e vogël. Po çfarë masash morën autoritetet e asaj kohe për të evituar përsëritjen e zjarrit? – pyet më tej Perotti. “Detyruan çdo banor të vendoste një kovë me ujë në çdo banesë apo kërkuan të ndërtonin qytetin me gurë dhe tulla duke e zëvendësuar me drurin? Zgjodhën të dytën, natyrisht, më të kushtueshmen por sakaq zjarri i madh nuk u rishfaq më. Ndoshta në të njëjtën mënyrë nga vetë Europa kërkohet një përgjigje për krizën e euros. Nuk mjafton që secili prej vendeve të armatoset me kovën e vet të ujit. Duhen rishikuar themelet e Europës, edhe pse kostoja mund të jetë më e lartë si në termat politikë po aq dhe në ato financiarë. Duhen tullat dhe gurët sepse nuk shërbejnë më kovat e ujit”. Ndoshta shumë prej shteteve europiane këtë lloj mbështetje e kërkojnë nga Gjermania si vendin më të fuqishëm europian edhe nga ana ekonomike. Por nga ana tjetër shpeshherë duket se vetë Gjermania nuk kërkon të ndajë apo të marrë përsipër borxhet e disa vendeve europiane. Mbi raportet mes Gjermanisë dhe Europës dhe pjesës tjetër të botës professor Werner Abelshauser, në faqet e gazetës Frankfurter Allgemeine, ka theksuar se ekziston një paralele historike mes Gjermanisë së sotme dhe të asaj Gjermanie, më saktë të qyteteve gjermane të jugut (Norimberg, Augsburg dhe të tjera) që ishin zhvilluar si një i vetëm duke pasur një politikë të vërtetë botërore të përbashkët si në tregti dhe shkëmbime tregtare duke dominuar madje edhe tregjet, duke filluar nga Fiandra për të mbërritur deri në Venecia. Edhe tani Gjermania është padyshim vendi që ka patur shumë avantazhe nga Bashkimi Europian, sepse e ka mbështetur politikën e saj kombëtare veanërisht me vendet e treta. Monedha e përbashkët padyshim ka favorizuar monedhën gjermane. Sipas Abelshauser nuk duhet menduar se Kancelarja gjermane dhe Partia e saj duan të gjermanizojnë Europën, duke marrë rolin e liderit absolut dhe duke shtënguar në të njëjtën kohë vendet e tjera europiane të bëjnë si Gjermania. I vetmi objektiv mund të ishte një integrim europian që do ngrihej nga një Kushtetutë e përbashkët e cila do të jepte transparencën e raporteve ekonomike në tregun e brendshëm. Sepse egziston rreziku i fshirjes së specifikës të institucioneve ekonomike gjermane, ku sistemi i bankave është një përzierje mes publikes dhe privates. Por edhe demokracia sociale (ajo që gjermanët e quajnë Mitbestimmung) dhe shteti social do të ishin sektorë të diskutueshëm ku të të mbizotëronte modeli i kompetivitetit. Por nëse kjo do të ishte e vërtetë është e qartë që politika e kryesimit të dyfishtë franko - gjerman dhe mbështetja e politikës planetare të Gjermanisë nuk po shkon në drejtimin e duhur.