Berisha do fature te kete kosto

Në task forcën për shëndetësinë, kryeministri tha se nxjerrja e kostove do të bëjë të mundur mirëpërdorimin e burimeve të disponueshme financiare.
Ai përgëzoi aktorët e përfshirë në reformën në shëndetësi, për hartimin gjatë vitit të shkuar të udhërrëfyesve dhe protokolleve të praktikës klinike.
“Ne duhet të jemi të vendosur të fillojmë aplikimin edhe në rast se jo çdo gjë e kemi të përgatitur, ne duhet të bëjmë provën me kostifikimin. Duhet të bëjmë që çdo faturë e kostifikuar t’i shkojë institutit. Faturat, kostot e çdo analize e çdo medikamenti dhe çdo proçedurë, t’i dërgohet institutit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Kjo nuk është një praktikë e thjeshtë, që duhet ta instalojmë sepse është themelore”, është shprehur Berisha.
Kryeministri përmendi projektligjin e sigurimeve shëndetësore, që kaloi në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Në rast miratimi në Parlament, ligji do të garantojë skemën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, por edhe do të hapë sigurimin drejt sektorit privat.
Sipas kryeministrit, kjo i jep fund debatit të gjerë 4 vjeçar dhe është një zgjidhje realiste: sepse e para nuk rrit taksën për qytetarët e siguruar, ndërkohë që detyron qeverinë të paguajë për ata që nuk kanë mundësi.
Kështu, sipas kryeministrit, të tërë do të kenë të garantuar kujdesin shëndetësor.