E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja mbyll për 50 vjet listat e zgjedhësve në Arkivin e Shtetit



Eljona Ballhysa
Katër përfaqësuesit e maxhorancës në Komisionin Qendror Zgjedhor miratuan dje mbylljen në një dosje të listës së zgjedhësve dhe depozitimin e saj në Arkivin e Shtetit, në bazë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ky vendim e kyç për të paktën 50 vjet të drejtën e opozitës apo të kujtdo për të kërkuar informacion dhe për të hetuar këto lista. Kjo për faktin se hapja e tyre pas dërgimit në Arkivin e Shtetit cilësohet si shkelje e privatësisë së shtetasve. Në listë, përbri emrit të gjithsecilit, komisionerët shënojnë numrin e pasaportës apo të letërnjoftimit elektronik të votuesit. Pikërisht për arsye se lista identifikon shtetasit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që këtë listë t’ia dërgojë Arkivit të Shtetit në një dosje të posaçme, të ndarë nga dokumentet e tjera zgjedhore, në përputhje me dispozitat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ligji i arkivave thotë se të dhënat me karakter vetjak që cenojnë jetën intime të individit shërbehen pasi të kenë kaluar, sipas rastit, nga 50 deri në 150 vjet. Ky vendim është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e opozitës në komision, por kjo nuk u mor në konsideratë nga shumica. Madje, Dëshira Subashi nuk pranoi të firmoste urdhrin e kryetarit Ristani dhe në shenjë proteste ajo dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës braktisën mbledhjen e KQZ-së.
Debati
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, u deklarua kundër shqyrtimit të këtij akti duke u shprehur se nuk është kompetencë e KQZ-së dhe se bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Ajo shtoi se nuk mund ta firmosë këtë akt, pasi në të bëhet fjalë për një operacion pune, i cili nuk ishte parashikuar në vendimin “për menaxhimin e materialeve zgjedhore”, të miratuar më 29 dhjetor 2010. “Bazuar në nenin 20 të Kodit Zgjedhor, pika 1, germa b, si dhe në pikën 3 të tij, ne kemi detyrimin: kryetari dhe nënkryetari të nxjerrin urdhra në zbatim të vendimeve të KQZ-së. Por, vendimi i 29 dhjetorit nuk e parashikonte se çfarë do të ndodhte me listën e zgjedhësve”, - tha nënkryetarja e KQZ-së, Subashi, në cilësinë e përfaqësueses së opozitës në Komisionin Zgjedhor. Sipas saj, kryetari i KQZ-së, me vendimin e fundvitit, shmangu udhëzimin e 30 marsit 2006, i cili parashikon se çfarë ndodh me listën e zgjedhësve pas hapjes së kutive të votimit. “Udhëzimi Nr. 1 i 30 marsit 2006 parashikon që në dokumentet që i shkojnë Arkivit Qendror të Shtetit është dhe lista e zgjedhësve, por akti që u mor më 29 dhjetor e shmangu qëllimisht këtë udhëzim. Këto akte që merr KQZ-ja janë akte nul, që nuk prodhojnë efekte”, - tha Subashi, ndërsa u largua nga mbledhja.
Në përgjigje të këtij qëndrimi, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke mbrojtur aktin e 29 dhjetorit, nënvizoi se institucioni që ai drejton ka vepruar konform rregullave dhe ligjeve.
“Udhëzimi i 2006-s e ka humbur efektin e tij, pasi më pas ka dalë ligji ‘për mbrojtjen e të dhënave personale’ dhe lista e zgjedhësve përmban të dhëna personale që kanë një trajtim të veçantë dhe patjetër që KQZ-ja duhet ta marrë parasysh. Kjo është arsyeja që me urdhrin që doli ishte parashikuar po i njëjti sistem qarkullimi i dokumentacionit. Pra, nga KQZ-ja lista do të shkojë në Arkivin e Shtetit, por në këtë rast do të futet vetëm në një dosje të vetme”, - sqaroi Ristani. Pavarësisht se Subashi nuk e vendosi firmën në urdhrin e kryetarit Ristani, administrata e KQZ-së dhe anëtarët e tjerë iu referuan rregullores së brendshme, e cila përcakton se kur nënkryetari nuk vë firmën pranë një urdhri, ky urdhër administrativ shndërrohet në akt normativ dhe i paraqitet për votim anëtarëve të KQZ-së. Akti kaloi me shumicë votash.

Nis djegia e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit

Digjen fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Ndryshe nga ç’pritej, nuk ka qenë Sharra vendi i asgjësimit të tyre, por bregu i lumit Erzen, më saktësisht, vendi i njohur si Ura e Farkës. Ka qenë ora 13:30 e ditës së djeshme kur në një prej gropave të riciklimit të inerteve, të përdorura shpesh dhe për asgjësimin e materialeve kontrabandë, ka nisur djegia e fletëve të votimit. Vetëm 3 orë pas nisi puna në magazinat e Lundrës, njëri nga kamionët e ushtrisë të vënë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u ngarkua me thasët plastikë të mbushur me fletët e votimit, për t’i transportuar më pas në vendin e asgjësimit. Dy kamionë të ushtrisë, të ngarkuar për transportin e fletëve që mbajtën peng politikën për më shumë se 1 vit e gjysmë. Kjo do të jetë rruga e tyre e përditshme për dy muajt e ardhshëm, kohë kjo e përcaktuar për asgjësimin total të materialeve të përdorura në 2009-n.

Topalli bën bilancin e Kuvendit, akuzon kryetarin e PS-së

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë bilancit të punës njëvjeçare të Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka hezituar të hedhë akuza në drejtim të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Sipas saj, përgjatë një viti e gjysmë Rama ka penguar deputetët e PS-së që të miratojë ligjet e rëndësishme për integrimin europian të vendit. Ajo i ka bërë thirrje liderit socialist të mos pengojë deputetët e tij në votimin e ligjeve. Gjatë bilancit të punës së Kuvendit Topalli kritikoi opozitën, e cila, sipas saj, ka munguar për një vit e gjysmë në Parlament duke mos dhënë konsensusin e saj për reformat e kërkuara nga BE-ja. “As unë, asnjëri prej kolegëve të mi nuk mund ta ndryshojmë dot qëndrimin e lidershipit të Partisë Socialiste. Nuk i tërheq dot me dhunë që të vijnë deputetët të votojnë, por unë i ftoj deputetët e opozitës që të votojnë. Jo çdo ligj për të cilin ata nuk janë dakord, por e kanë për detyrë për të votuar”, - nënvizoi Topalli. Ajo ftoi opozitën të votojë ligjin për Gjykatën Administrative, për ndryshimet në Kodin Elektoral, si dhe të sjellë në Kuvend emrin për Avokatin e Popullit. “Ne i kemi dhënë të drejtë opozitës që të sjellë amendamentet për Kodin Zgjedhor. Ky nuk është kompromis. Ky është t’i thuash opozitës që për këtë moment po të lë ty të bësh maxhorancën”, - është shprehur Topalli. Kryetarja e Parlamentit sulmoi Ramën, i cili sipas saj nuk ka paraqitur asnjë platformë për vendin dhe shqiptarët. Ndërsa duke komentuar vendimin për djegien e fletëve të votimit, Topalli tha se KQZ-ja po respekton ligjin. “Dy vite nuk u paraqit asnjë platformë, as për ekonomi, as për arsim, as për shëndetësi, as për zhvillime në fusha të tjera, vetëm kutia. S’ka vend që lë kutitë e votimit dy vjet. Në këtë aspekt unë ndihem mirë sa herë që zbatohet ligji, edhe pse me vonesë”, - tha Topalli. Më tej ajo lexoi në arritjet e Kuvendit në formën e statistikave. Sipas Topallit, gjatë vitit të shkuar u zhvilluan 484 mbledhje në Parlament, deputetët propozuan 736 amendamente, ndërsa janë zhvilluar 124 seanca dëgjimore, si dhe kanë marrë pjesë 79 grupe interesi. Në Kuvend kanë raportuar 16 institucione kushtetuese, ndërsa komisionet e përhershme kanë ushtruar 36 kontrolle parlamentare në institucionet publike. Topalli tha se viti 2010 do të mbahet mend si viti i heqjes së vizave dhe në këtë drejtim Kuvendi ka hedhur hapa të rëndësishëm në kuadër të plotësimit të detyrimeve në reformat e vendosura nga Komisioni Europian.

8 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›