Rama: “Vendimi i KQZ-së, i pavlefshëm. PS-ja do të luftojë për zgjedhje të parakohshme”
Eljona Ballhysa
“Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor është i pavlefshëm”. Kështu është shprehur dje kryetari i PS-së, Edi Rama, në daljen e parë publike për vitin 2011. Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, Rama argumentoi se vendimi për asgjësimin e materialeve zgjedhore kërkon jo vetëm firmën e kryetarit të KQZ-së, por edhe atë të nënkryetarit. Deklarata e Ramës u bë vetëm pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së djeshme të KQZ-së, e cila vendosi nisjen e procesit të djegies së fletëve të votimit dhe dërgimin e listës së zgjedhësve në Arkivin e Shtetit, duke e mbyllur njëherë e përgjithmonë mundësinë e hetimit të saj nga opozita. Gjatë fjalës së tij në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, Rama foli edhe për nisjen e protestave si një mundësi për të rrëzuar qeverinë dhe për të afruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Reagimi
“A ka më ndonjë shqiptar që nuk e ka kuptuar se Saliu i ka vjedhur zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë? Për ne kjo ka qenë e qartë që në fillim. Sot kjo është e qartë për çdo shqiptar të arsyeshëm. Tha një vit rresht ‘s’do t’i djeg fletët’, mori vendim për t’i djegur. Tha një vit rresht ‘jam gati të hetojmë materialet zgjedhore’, mori vendim për të ndaluar hetimin. Tha një vit rresht ‘mund t’i merrni listat e zgjedhësve në Arkiv’, mbrëmë vendosi t’i burgosë në Arkiv për 25 vjet. Por, kujdes! Në Kod kemi shkruar bashkërisht se pa kundërfirmën e përfaqësuesit të opozitës në KQZ, zëvendëskryetarit të KQZ-së, çdo akt i KQZ-së që mban vetëm firmën e kryetarit të vet është i pavlefshëm. Nëse edhe ky akt final i vetëdemaskimit të Saliut si kusar votash hyn forcërisht në fuqi, jo vetëm prania e opozitës në KQZ-në e dhunuar nga një lolo i Saliut humbet çdo kuptim, por edhe veprimi opozitar merr një përmasë edhe më të kushtëzuar nga pesha e dhunës së paligjshme qeveritare”, - është shprehur Rama. Sipas liderit të opozitës, “Kuvendi i votave të vjedhura është marrë peng nga Saliu e Jozefina, që jo vetëm rrëzuan komisionin hetimor që bazohej mbi rezolutën e Parlamentit Europian, po rrëzuan edhe rezolutën tonë për të nxjerrë vendin nga kriza e për të marrë statusin e kandidatit në mesin e këtij viti”. Rama u shpreh se “Saliu dhe Jozefina tallen me shqiptarët duke u thënë se vizat i kishte në dorë qeveria, statusin e kandidatit e ka në dorë opozita. Ndërkohë që shqiptarët e dinë fare mirë se vizat i dha Europa për ta dhe refuzimi i statusit në fakt është një viza e kuqe mbi keqqeverisjen e Saliut dhe të Jozefinës”.
Zgjedhjet
Më tej, gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste tha se opozita do të shtojë forcat për të larguar këtë qeveri që përbën kërcënim për demokracinë, drejtësinë dhe ekonominë e vendit. Ai tha se nëpërmjet protestave do të arrihet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe nuk do të përsëritet më krimi elektoral i 28 qershorit. “Ne do të vazhdojmë me të gjitha energjitë dhe fuqitë tona që ta mundësojmë largimin e kësaj qeverie. Nga transparenca e veprimtarisë korruptive te protestat dhe deri te zgjedhjet, që nuk do të lejojmë të jenë përsëritja e krimit elektoral të 28 qershorit të vitit 2009”, - është shprehur Rama. Ai tha se PS-ja do të këmbëngulë në nismën e saj për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërkohë që do të vazhdojë të mbajë një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin. “Komisioni Europian ka plotësisht të drejtë që e tregon me gisht Jozefinën në opinionin negativ për Shqipërinë si një shpërdoruese të detyrës së kryetares së Kuvendit të Shqipërisë. Kjo për ne do të thotë që do të çojmë përpara, siç kishim paralajmëruar, nismën për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, pavarësisht numrave që sot për sot e bëjnë të pamundur një gjë të tillë aritmetikisht. Kjo nisëm do të vlejë për të konsumuar çdo mundësi demokratike të opozitës parlamentare në rrugën e përpjekjes sonë për normalizimin e jetës së Parlamentit, që kushtëzohet nga sjellja primitive e kultura e mangët e zonjës Jozefinë. Marrëdhënia jonë me Parlamentin mbetet plotësisht e kushtëzuar. Prania jonë në Parlament nuk vihet në dyshim. Përpjekjet tona për të futur Parlamentin dhe vendin në rrugën e duhur nuk do të shterin, ashtu sikundër nuk shter as durimi, as forca, as fuqia e bashkimit tonë për të kërkuar atë që kërkojmë prej një viti e gjysmë dhe për të luftuar me keqqeverisjen e me korrupsionin siç luftojmë prej një viti e gjysmë pasi zgjedhjet u vodhën port vjedhur Shqipërinë”, - është shprehur Rama.
Haxhinasto: “Raporti i Dik Martit nuk e pengon njohjen e Kosovës”
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ka bërë të ditur dje për mediat se raporti i Dik Martit mund të vonojë procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, por nuk e pengon dot këtë proces. Ai gjithashtu tha se qeveria dhe Parlamenti shqiptar kanë përgatitur një qëndrim të përbashkët që do të mbajnë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Unë mendoj që procesi i njohjeve të Kosovës është një proces i pandalshëm. Ky raport mund të vonojë pak procesin e njohjeve, por në asnjë mënyrë nuk mund ta pengojë atë”, - është shprehur Haxhinasto. Ai garantoi se qeveria shqiptare është e hapur ndaj çdo kërkese për hetim. “Tashmë Ministria e Punëve të Jashtme dhe qeveria, në bashkëpunim të ngushtë me Parlamentin, kanë përgatitur një qëndrim, i cili do të zbatohet nëpërmjet një plani veprimi që është konceptuar të realizohet brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, por dhe në marrëdhënie dypalëshe me të gjitha vendet anëtare të këtij Këshilli. Sigurisht, është bërë tashmë e ditur se Republika e Shqipërisë ka ofruar të gjithë gatishmërinë e mundshme. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë edhe në të ardhmen me institucionet ndërkombëtare që lidhen me hetimin e pretendimeve plotësisht të pabaza të ngritura në raport, në mënyrë që të hetohet përsëri dhe t’i jepet përgjigje përfundimtare të gjitha këtyre pretendimeve të paqëndrueshme, që herë pas herë dalin në mediat ndërkombëtare, si thashethemnaja apo opinione negative rreth Shqipërisë, shqiptarëve, Kosovës dhe gjithë faktorëve progresivë të rajonit tonë”, - është shprehur shefi i Diplomacisë shqiptare. Kjo deklaratë e Haxhinastos u bë gjatë një deklarate për shtyp ku ai përshëndeti njohjen e shtetit të Kosovës nga shteti i Katarit. “Viti diplomatik 2011 hapet me një ngjarje të rëndësishme siç është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shteti i Katarit. Vendimi u formalizua mbrëmë nga qeveria e Katarit. Kam kënaqësinë, gjithashtu, që t’ju informoj se, vetëm para pak javësh, në Katar u hap ambasada e Republikës së Shqipërisë. Ky është një tregues i rëndësishëm i asaj strategjie që ne kemi ndjekur, e cila konsiston në rritjen e bashkëpunimit me të gjitha vendet e botës në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, por edhe të kontributeve që këto vende japin në rajon dhe përtej tij”, - është shprehur Haxhinasto.
PDU-ja nis organizimin për peticion mbarëkombëtar kundër raportit të Dik Martit
Partia Drejtësi dhe Unitet do të organizojë ditët në vijim një fushatë për nënshkrimin nga të gjithë shqiptarët të peticionit kundër raportit të Dik Martit, që fyen mbarë kombin shqiptar mbi luftën për çlirimin e Kosovës. Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, u takua dje me drejtuesin e Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK në Kosovë, Muharrem Xhemajl, ku prezantoi vijimin e kësaj nisme edhe në Shqipëri. Zoti Xhemajli e njohu zotin Idrizi, me iniciativën më të fundit të kësaj organizate në Kosovë për të mbledhur firma për një peticion kundër raportit të Dik Martit. Ai tha se kishte zgjedhur si bashkëbisedues për ta çuar më para idenë e peticionit, pikërisht zotin Idrizi si lider i një partie të angazhuar për çështjen kombëtare në të gjitha viset ku ka shqiptarë. Idrizi, nga ana e vet, e njohu zotin Xhemajli, me të cilin kishte pasur takim dhe gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, me aktivitetin e PDU-së gjatë periudhës së fundit. Ai e vlerësoi si të rëndësishme iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por nënvizoi se këtij peticioni “i duhet dhënë karakter mbarëkombëtar”. “Ky peticion, duhet të shkojë në destinacion, në Këshillin e Europës, dhe të mos mbetet për konsum të brendshëm. Raporti i Dik Martit, fyen shqiptarët si komb, kudo që janë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë, ndaj ai meriton një përgjigje kombëtare”, - tha Idrizi.
Ilir Meta i merr PS-së ish-deputetin Durim Hushi dhe ekspertin Ylli Manjani
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, prezantoi dje para mediave dy anëtarët e rinj të kësaj partie, ish-deputetin e PS-së, Durim Hushi dhe ish-anëtarin e Asamblesë së PS-së, Ylli Manjani. “Dua të shpreh kënaqësinë që jam sot përpara jush me dy kolegë të njohur dhe të nderuar të jetës politike dhe publike në vend dhe t’u uroj atyre njëkohësisht mirëseardhjen në LSI. Pra, me zotin Durim Hushi, një politikan i njohur dhe deputet i njohur në disa legjislatura, dhe zotin Ylli Manjani, politikan i njohur dhe ekspert i njohur i çështjeve ligjore”, - tha Meta në një konferencë për mediat, në selinë e LSI-së, së bashku me Manjanin dhe Hushin. “Në këtë rast, përveçse falënderimit për zgjedhjen që ata kanë bërë, dua të shpreh besim tim se kapacitetet që ata përfaqësojnë, eksperienca e tyre, përvoja pozitive që kanë pasur gjatë kësaj periudhe të angazhimit politik dhe publik jo vetëm që janë të mirëpritura në LSI, por jam i bindur se do të kontribuojnë në realizmin e objektivave tona të përbashkëta në emër të një politike më konstruktive në Shqipëri”, - tha Meta. Ndërsa dy anëtarët e rinj të LSI-së u shprehën se do të japin kontributin e tyre në këtë parti, të cilën e cilësuan si të majtën moderne shqiptare dhe që po jep kontribute të rëndësishme në vend për ruajtjen e stabilitetit politik dhe për nxitjen e proceseve integruese të vendit. Gjatë fjalës së tij Meta iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me vendimin e KQZ-së për djegien e fletëve të votimit. Meta tha se tashmë ky vendim është tagër i KQZ-së, pasi, sipas tij, Partia Socialiste dhe opozita në tërësi i kishte të gjitha hapësirat ligjore për të realizuar hetimin e zgjedhjeve dhe rinumërimin e votave. Por, sipas Metës, PS-ja i injoroi këto hapësira. Ai i bëri thirrje PS-së që të marrë pjesë në ndryshimin e Kodit Zgjedhor në mënyrën që të garantojë transparencën e zgjedhjeve të ardhshme.
8 Janar 2011