E Diel, 1 Nëntor 2026

Fleteve te 28 qershorit iu vihet flaka ne bregun e lumit Erzen

Djegia Asgjësimi ka nisur në zonën e Farkës. Më parë janë ndarë kutitë e materialeve me ato të fletëve

Ashtu siç ishte parashikuar, procesi i asgjësimit të fletëve të votimit të përdorura në vitin 2009 ka nisur dje. Në bregun e lumit Erzen, në zonën e Farkës, iu është vënë flaka fletëve të para të zgjedhura për t’u asgjësuar. Pasi u lyen mirë e mirë me benzinë të blerë me tender nga KQZ-ja, një punonjës i këtij institucioni nxori çakmakun dhe kreu ritin, që ishte cilësuar tabu prej një viti, duke i zhdukur dëshmitë reale të vullnetit politik të qytetarëve shqiptarë. Ndryshe nga ç’pritej, nuk ka qenë Sharra vendi i asgjësimit të tyre, por bregu i lumit Erzen, më saktësisht, vendi i njohur si Ura e Farkës. Ka qenë ora 13:30 e ditës së djeshme, kur në një prej gropave të riciklimit të inerteve, të përdorura shpesh dhe për asgjësimin e materialeve kontrabandë, ka nisur djegia e fletëve të votimit. Komisioni përgjegjës i ngritur sipas vendimit të datës 29 dhjetor 2009, së bashku me personelin e rekrutuar me këtë rast, ka nisur punën në magazinat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Lundër, një fshat në periferi të Tiranës. Procesi përfshin trajtimin e 10 000 kutive të votimit, brenda të cilave gjenden fletët e votimit, procesverbalet e përdorura nga komisionet, librat e protokollit të mbledhjeve, listat e zgjedhësve etj. Teknikisht, procesi është rregulluar në përputhje me ligjin dhe për të cilin në përfundim të tij do të ketë një procesverbal përfundimtar që do t’i paraqitet anëtarësisë së KQZ-së. Regjistrimi i kodeve të mbylljes së kutive, verifikimi i materialit, seleksionimi, diferencimi i listave në një dosje më vete, janë procese që kanë të bëjnë me kutitë e materialeve zgjedhore. Sa i përket kutive të tjera, atyre të fletëve të votimit, puna është më e thjeshtë; hapja e tyre dhe nxjerrja e fletëve ka si proces fundor vetëm asgjësimin përmes djegies, që do të realizohet me benzinë. Që ditën e djeshme procesi ka qenë i hapur dhe publik, i monitoruar nga media, duke regjistruar kështu një precedent që ndoshta nuk do të përsëritet më. Si i tillë, procesi ka të fiksuar edhe orën e saktë të hapit të parë asgjësues. Ka qenë pikërisht ora 13:00, pranë një grope të riciklimit të inerteve në Urën e Farkës, ku kamioni i parë i ushtrisë me thasët e fletëve të votimit është djegur përfundimisht. Prej Lundrës deri në një gropë riciklimi, të përdorur edhe për asgjësimin e mallrave kontrabandë – ky është itinerari final i atyre që u konsideruan për një vit e gjysmë si prova materiale e manipulimit elektoral të 28 qershorit 2009. Me këtë rast është për t’u shënuar se në ballafaqimin politik për këtë çështje, shumica ka diktuar forcën e vet përmes zbatimit rigoroz të ligjit zgjedhor, duke arritur që të manovrojë pa kosto shumë të mëdha edhe ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar. Vetë procesi në vetvete, formalisht e bën nul edhe rezolutën e Parlamentit Europian, në një nga pikat e të cilës kërkohet ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar materialet zgjedhore. Në kontekstin e zhvillimeve të reja, duket se PS-ja nëse do të mbetet e interesuar të ndjekë kursin e saj të transparencës, atëherë do të duhet ta funksionalizojë atë përmes ligjit për informacionin apo shfrytëzimin e arkivës. Edhe pse ka pak gjasë të ndodhë, kjo është e vetmja rrugë për një proces, që sipas fjalëve të janarit 2011 të Kryeministrit Sali Berisha, “i përket të kaluarës”.

.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›