Berisha dorëzon Pyetësorin. Fule: Do ndihmojmë Shqipërinë, opinioni do jepet para 2011-s

Vizat, shqiptarët do lëvizin të lirë menjëherë pas raportit të Komisionit Evropian, për kushtet e plotësuara
Kreu i qeverisë Sali Berisha, dorëzoi sot në selinë e Komisionit Evropian, në Bruksel, përgjigjet e Pyetësorit. Pas mbërritjes në Bruksel dhe ligjërimit në konferencën e organizuar nga fondacioni “Robert Schuman”, kryeministri Berisha u takua me komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, ku i dorëzoi draftin voluminoz, mbi të cilin do ndërtohet rruga e integrimit të Shqipërisë. Kryeministri Berisha ishte i shoqëruar në këtë takim nga ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu dhe ambasadorja e Misionit të Shqipërisë në BE, Mimoza Selimi. Palët zhvilluan fillimisht një takim me dyer të mbyllura, ndërkohë që të dy zyrtarët e lartë, Berisha dhe Fule, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri Berisha e vlerësoi dorëzimin e Pyetësorit, si një moment tepër të rëndësishëm për vendin, duke nisur kështu realizimin e idealit për mbarë kombin, integrimin Evropian. Berisha tha se Shqipëria ka bërë progres të çmuar vitet e fundit dhe se tani vjen krenare në Bruksel, për të marrë një vlerësim pozitiv për punën reformatore të bërë nga qeveria. “Për mua është një moment shumë historik. Në përgjigjet e 2200 pyetjeve, të dërguara në Shqipëri, përmes pyetësorit, qeveria ka punuar me përkushtim maksimal. Ky është momenti më i rëndësishëm i vendit tim. Jemi të vendosur për ta kthyer Shqipërinë në idealin e saj kryesor, të integrimit evropian. Këtu ka më shumë se 1200 zyrtarë që kanë punuar. Vendi im nuk është aq i njohur, por ai ka punuar shumë. Nëse kthehemi 18 vite më parë vendi im cilësohej si një nga vendet më të varfra të planetit, dhe me institucione jashtë funksionimit dhe tani vendi im sjell këtu përgjigjet e BE, me shpresën më të mirë për tu pranuar. Tani, vendi im, pret një opinion nga KE-ja. Komisioneri Fule më tha se ky është një fillim i ri, por ky është një moment shumë interesant për vendin tim. Unë e quaj këtë si një moment të një përpjekje dhe energjie të re dhe jam i sigurt se gjatë muajit që vijnë ne do të bëjmë ç’është e mundur që të kemi një vlerësim pozitiv. Falenderoj Komisionin Evropian, institucionin që nga muaji i parë i rrëzimit të Murit të Berlinit, ka kontribuar duke investuar miliarda euro, për ndërtimin e Shqipërisë. Komisioni Evropian, është institucioni që ka ndihmuar më shumë vendin tim”, u shpreh kryeministri Berisha. Komisioneri për Zgjerimin, Fule, theksoi në fjalën e tij se qeveria shqiptare ka arritur të realizojë një paketë të rëndësishme dhe me përgjigje domethënëse për progresin e vendit. Ai tha se tani detyra i kalon Komisionit Evropian, për të përpunuar sa më shpejt opinionin, mbi përgjigjet e Pyetësorit. “Ju arritët të plotësonit këtë paketë të rëndësishme, dhe jeni përgjigjur në mënyrë kaq domethënëse. Më lejoni të shpreh falënderimin tim, për ata që bënë këtë punë, kaq voluminoze. Tani na pret ne të analizojmë përgjigjet tuaja. Të ngremë gjatë muajve të ardhshëm, ekspertët tanë, për të tjera konsultime, për të marrë mendime të tjera dhe për të krijuar opinionin tonë. Mendimi i KE do të jetë i drejtë dhe do të vlerësojnë, në përputhje më dëshirën e Shqipërisë, pra në mbështetje të aspiratës së saj. Koha kur do të jepet opinioni do të varet shumë nga cilësia dhe informacioni që keni marrë. është këshilli ai që do të vlerësojë në hapa të tjerë. Dua të theksoj se shqetësimi që kam unë, për të normalizuar situatën politike në Shqipëri. Puna parlamentare, pa pjesëmarrjen e opozitës, nuk përmbush një kriter të rëndësishëm politik. Duhet të veprohet në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Në diskutimin që patëm, i mirëprita zhvillimet politike në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe Shqipëria ka arritur shumë në këtë proces. Liberalizimi i vizave është një proces vërtetë me merita dhe KE do të bëjë një propozim në momentin e parë që do të vërehet plotësimi i kërkesave. Përsa i takon Komisionit, ne jemi plotësisht të angazhuar të ndihmojmë vendin tuaj, në rrugën drejt proceseve të integrimit”, deklaroi Komisioneri Stefan Fule
Statusi kandidat/ Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule deklaroi gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Berisha në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, se opinioni për progresin e Shqipërisë në bazë të përgjigje të Pyetësorit, do jepet para zgjedhjeve vendore të 2011-s, duke nënkuptuar kështu një përgjigje para festave të këtij fundviti. “Ne kemi të gjitha të dhënat, për të bërë një vlerësim dhe hartimin e opinionit tonë. Nuk do të presim zgjedhjet ardhshme. Ato zgjedhje përfaqësojnë një gur demokracie për më tej. Ne jemi të angazhuar në një proces, i cili nuk mund të përfundojë direkt, por do të duhen disa vite. Do të shohim qëndrueshmërinë e demokracisë në Shqipëri. Sigurisht që do t’i ndjekim me interes zgjedhjet vendore. Shpresoj shumë që qeveria dhe opozita, do të bëjnë ç’është e mundur që kësaj here vlerësimi i OSBE-së të jetë shumë më pozitive se herën e fundit", tha Fule.
...