Topalli: Shqipëria brenda vitit në “Schengen”, opozita po punon kundër interesave të integrimit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh sot se liberalizimi i vizave për shqiptarët, është një proces i sigurtë, që do të finalizohet me sukses, pasi qeveria ka bërë reforma të thella strukturore. Gjatë një prononcimi për mediat, pas Konferencës “Bashkëpunimi për zhvillim dhe të drejtat e fëmijëve në Shqipëri”, që u organizua sot në Muzeun Historik Kombëtar, kryetarja e Kuvendit, Topalli, i bëri thirrje opozitës të ndryshojë kursin politik dhe të fokusohet te aspiratat e përbashkëta të shqiptarëve. “Unë shfrytëzoj rastin për të ftuar PS për të qënë bashkëpunuese në çdo ligj, në çdo reformë që ne vazhdojmë të kemi në Parlament. Nga 9 shtatori kemi kaluar 152 ligje, marrëveshje, vendime dhe rezoluta. Opozita duhet të jetë bashkëpunëtore në këto ditë, që janë vendimtare për liberalizimin e vizave”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. E pyetur nëse ka marrë mesazhe nga opozita në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “unë e kam ftuar dhe do të ftoj çdo ditë opozitën për të qënë bashkëpunëtore në çdo reformë”. Gjithashtu Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi si moment historik dorëzimin e Pyetësorit të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kryetarja e Kuvendit deklaroi se “dorëzimi i pyetësorit është finalizimi i një pune të jashtëzakonshme të reformave, ato reforma që ne i kemi realizuar gjatë gjithë këtyre viteve nga Parlamenti, nga qeveria dhe nga institucionet e tjera”.
...