“Koalicioni PD-LSI, funksional dhe në baza solide bashkëpunimi”
LSI-PDU, bashkëpunim për çështjen çame dhe integrimin e vendit. Flet Zëvendëskryetari i LSI, Edmond Haxhinasto
Zëvendëskryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto, vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, në qeverisjen e vendit. Haxhinasto, duke iu referuar funksionalitetit të koalicionit qeverisës PD-LSI, tha se të dy këto forca që po qeverisin vendin, kanë një bazë të rëndësishme të përbashkët në programin e tyre, që është realizimi i projektit të integrimit evropian.
“Koalicioni është funksional dhe është në baza solide bashkëpunimi. Mazhoranca është e angazhuar tërësisht në rrugën e zhvillimit të Shqipërisë dhe integrimit Evropian. Prioritetet e LSI-së janë shumë të rëndësishme”, u shpreh zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto.
Lidhur me situatën politike në vend, zyrtari i lartë i LSI-së veçoi se për çështjet që kanë të bëjnë me proceset e rëndësishme për vendin duhet të bëhen edhe marrëveshje detyruese.
Sipas tij, për çështje të rëndësishme për vendin siç është integrimi i vendit në BE dhe liberalizimi i vizave duhet të arrihet një konsensus përtej bindjeve politike.
“është për të ardhur keq që partitë e vendeve fqinje kanë marrëveshje detyruese, për ato që kanë të bëjnë me çështje kombëtare”, theksoi Haxhinasto duke shtuar se politikanët shqiptarët duhet të nxjerrin mësime nga këto vende duke lënë mënjanë përfitimet e tyre politike.
Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto duke e cilësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim si një pol i rëndësishëm i politikës shqiptare theksoi se bashkëpunimi me PDU-në është më se i natyrshëm.
Në këtë aspekt, ai vlerësoi se një bashkëpunim i tillë tregon se partitë e tjera shohin tek LSI-ja një partner të denjë politik dhe një forcë për realizimin e objektivave politike.
Ai shtoi gjithashtu se një marrëveshje e tillë do të përkthehet edhe me një bashkëpunim më të madh në Kuvend.
Ndërkohë dje, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partia Drejtësi për Unitet do të bashkojnë votat në parlament për çështjen çame dhe integrimin.
Kryetarët e këtyre forcave Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi zyrtarizuan bashkëpunimin parlamentar duke mos mohuar dhe mundësinë e krijimit të një grupi të përbashkët në legjislativ.
“Esenciale është që ne jemi të pirur për ta vijuar më tej këtë bashkëpunim dhe për të dhënë mesazhe me konstruktive për gjithë jetën politike shqiptare, në Parlament dhe jashtë Parlamentit. Problemet dhe çështjet që përfaqëson në mënyrë të veçantë PDU-ja do të kenë përkrahjen tonë gjithnjë kur ato do të jenë në përputhje me atë frymë konstruktive dhe europeiste”, tha Meta.
Bashkëpunimin brenda dhe jashtë kuvendit dy kryetarët e argumentuan me pikat e përbashkëta të programeve të tyre.