Berisha dorëzon pyetësorin në Bruksel,KE nis vlerësimin për statusin kandidat
Erald Kapri
Kryeministri Sali Berisha dorëzoi përgjigjet shqiptare për marrjen e statusit kandidat në Bruksel, e në të njëjtën kohë mori premtimin se Bashkimi Evropian do vlerësojë arritjet, por do kërkojë edhe mungesat. Kreu i Qeverisë shqiptare i dorëzoi pyetësorin e KE-së komisionarit të Zgjerimit Stefan Fule, me të cilin foli në një konferencë për shtyp. “1200 ekspertë dhe zyrtarë shqiptarë, më shumë se 30 ekspertë ndërkombëtarë nga 20 vende, kanë punuar për përgjigjet e këtij pyetësori, për të prezantuar gjithçka çfarë ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve, universin e reformave për të ndryshuar vendin. Bazuar në këto përpjekje, vendi, pavarësisht faktit që nuk është shumë i njohur, ka ndryshuar shumë”, deklaroi Berisha. Nga ana e tij, Fule premtoi se BE do t’i kushtojë një rëndësi plotësimit të kritereve që i janë vendosur vendit. “Ne do t’i kushtojmë vëmendje të posaçme plotësimit të kritereve politike të Kopenhagenit dhe detyrimeve që keni ju në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha Fule.
Përgjigjja
Dhënia e përgjigjes së Komisionit Evropian për statusin kandidat për Shqipërinë, është një proces i gjatë i cili lidhet me realizimin e kritereve. Në konferencën e djeshme për shtyp, komisioneri Fule, i pyetur nëse Komisioni do të ndikohet nga zgjedhjet e afërta lokale për dhënien e opinionit, tha se këto zgjedhje nuk do të priten për t’u shqyrtuar në raport me opinionin për statusin kandidat. “Në lidhje me opinionin, ne tani kemi informacionet që na duhen për të filluar procesin e vlerësimit dhe të përgatitjes së këtij opinioni. Nuk do të presim deri në zgjedhjet e ardhshme për të dhënë opinionin tonë. Në të njëjtën kohë duhet të them se këto zgjedhje përfaqësojnë një vulë demokracie për vendin përkatës. Ne jemi të angazhuar në një proces, i cili nuk është se do të përfundojë në këto zgjedhje, do të duhen disa vite”, tha Fule, i cili shtoi se gjithsesi zgjedhjet lokale do të ndiqen me interes nga BE.
I pyetur më tej nga mediat shqiptare për dhënien e opinionit, Fule tha se ai do të jetë objektiv. Sipas tij, do të jetë një proces gjithëpërfshirës edhe për Shqipërinë, duke kujtuar kriteret për një bashkëpunim mes maxhorancës dhe opozitës. “Opinioni i Komisionit do të jetë pa diskutim objektiv dhe gjithëpërfshirës. çështja është se sa çështje do të përfshihen te siguria. E vetmja çështje që varet nga Qeveria e Shqipërisë dhe opozita e saj, është nëse do t’i referohemi si një çështje ende e pazgjidhur, me të gjitha implikimet që ka në lidhje me rekomandimet tona dhe me vendimet e vendeve anëtare, apo do t’i referohemi si një çështje e zgjidhur në bazë të parimeve që përmendi Kryeministri dhe e mbështetur në parimet e njohura dhe të pranuara nga përgjegjësia e të dyjave palëve, me një frymë evropiane”, nënvizoi Fule.
Situata politike
Nuk qëndroi jashtë vëmendjes së konferencës për shtyp situata politike në Shqipëri. Kreu i Qeverisë shqiptare tha se është i gatshëm t’i ofrojë opozitës mundësitë për ndryshimin e të gjitha kërkesave për zgjedhjet e ardhshme. “Dua të sqaroj këtu përpara të gjithëve, i kam ofruar dhe vazhdoj t’i ofroj udhëheqësit të opozitës që të hartojmë çdo amendament të mundshëm, madje të ndryshojë edhe sistemin e zgjedhjeve, unë do ta votoj pa kushte. Me kushtin e vetëm, që të kem një mendim të një organi ndërkombëtar, qoftë të Komisionit të Venecias apo të ODHIR për zgjedhjet e ardhshme. Dhe do të punojmë që të bashkëpunojmë me opozitën:”, tha Berisha. Nga ana e tij, Komisioneri Fule nënvizoi se nga vizita e tij e fundit në Shqipëri, kishte vënë re se kishte mundësi për bashkëpunim mes dy palëve. “Unë vura në dukje se ka një dritare për të bërë diçka. Të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces, kanë përgjegjësi për të gjetur një zgjidhje në mënyrë të atillë siç e kërkon KE”, tha Fule. Kryeministri Berisha tha më tej se nuk del përtej propozimeve të dhëna nga Qeveria deri në këto momente. Sipas tij, sistemi shqiptar ka të gjitha përgjigjet e mundshme për çdo situatë dhe palët duhet t’i përmbahen atyre. “Unë synoj të vazhdoj punën time sepse vazhdoj të jem plotësisht i bindur se nuk ka asnjë dokument në vendin tim, i cili nuk mund të bëhet transparent si votimi, qoftë fletë-votimi, qoftë çdo gjë tjetër, por duhet të ndiqen procedurat që janë të shkruara në ligjet e vendit. Ju i njihni propozimet e mia. Sistemi ynë ligjor i siguron njëkohësisht edhe transparencën, ashtu edhe respektin dhe ne duhet t’u përmbahemi këtyre”, deklaroi Kryeministri Sali Berisha.
Afati për opinionin
Komisioni Evropian nuk ka përcaktuar një afat standard për dhënien e opinionit për kandidaturën e Shqipërisë për në BE. Komisioneri Fule vlerësoi se përgjigjja do të varet nga cilësia e pyetësorit që ka plotësuar Shqipëria. “Koha kur do të jepet opinioni do të varet shumë nga cilësia dhe nga informacionet që kemi marrë, mbështetur në këtë opinion të Komisionit. Pastaj është Këshilli që do të vendosë për hapat e tjerë”, tha Fule. Ai tha më tej se KE do të bëjë konsultime në këtë proces, për të marrë mendime të tjera. Nisur nga eksperienca me vendet e tjera, statusi kandidat ka vonuar deri 18 muaj.
Fule: Liberalizimi i vizave, kur të keni plotësuar kërkesat
Liberalizmi i vizave ishte një nga temat kryesore në konferencën për shtyp mes Komisionerit Fule dhe Kryeministrit Sali Berisha. Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule deklaroi se vendi ka bërë përparime në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe kërkoi vijimin e plotësimit të kushteve. “Në diskutimin që patëm, i mirëprita zhvillimet politike në lidhje me lehtësimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Shqipëria ka arritur rezultate të mëdha dhe për këtë e uroj Kryeministrin Berisha, megjithatë përpjekjet për të siguruar plotësisht kërkesat duhet të vazhdojnë”, tha Fule. Më tej, ai nënvizoi se liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë do të ndodhë kur të plotësohet tërësisht kushtet e vendosura. “Liberalizimi i vizave është një proces i mbështetur në merita dhe Komisioni do të jetë në gjendje të bëjë një propozim për Këshillin e të dërgohet më tej në Parlamentin Evropian, kur vendi të ketë plotësuar kërkesat”, shtoi Fule. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha i pyetur nga gazetarët e pranishëm, deklaroi se çdo qëndrim për liberalizimin e vizave apo vendim po tregohet në formë të hapur nga BE. “Sigurisht që do të ketë një vendim të komisionit, do të ketë një komision, siç më thanë të ministrave të brendshëm apo të jashtëm, do të ketë një vendim të Parlamenti, kjo është procedura që ndiqet. Por ajo që është pozitive për mendimin tim është se kemi të bëjmë me një vlerësim shumë objektiv dhe transparent, siç thatë ju dhe ne jemi shumë të kënaqur dhe të lumtur që të shohim një vlerësim të tillë kaq transparent. çdo gjë do të na thuhet hapur dhe kjo është shumë pozitive”, tha Berisha. Kryeministri nënvizoi se Qeveria e tij nuk kërkon asnjë lëshim, por liberalizimi i vizave të bëhet vetëm nëse vendi e meriton. “Ne duhet të bëjmë punën tonë, kjo është në interesin më të mirë të çdo qytetari shqiptar. A e bëjmë punën apo nuk e plotësojmë atë që na kërkohet? Kjo është motoja ime në çdo gjë”, deklaroi Berisha në konferencën për shtyp.
Berisha: Teoria e opozitës, si e Trockit
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi strategjinë e bojkotit të opozitës të ngjashme me veprimet e bolshevikut, Leon Trockit, 90 vite me parë. Në konferencën “Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën”, Berisha tha se opozita pranoi rezultatin e zgjedhjeve, nuk gjeti asnjë provë për manipulim, ndërsa vijon ende bojkotin e Kuvendit. “Kjo lloj teorie për të njohur rezultatin e zgjedhjeve, por jo institucionet, e kam thënë hapur se ishte Trocki ai që e hodhi këtë teori, por tani ka hyrë në Parlament. Ju siguroj se duam të punojmë të gjithë bashkë”, tha Berisha në këtë konferencë.
Kukan: Shqipëria, gati për liberalizimin e vizave
Kryetari i Delegacionit për Evropën Juglindore në PE, Eduard Kukan, vlerësoi se Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave. “Ne, - u shpreh Kukan – “e pamë vetë se të gjitha kriteret teknike janë përmbushur dhe se Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave. Ne urojmë që Komisioni Evropian të shprehet sa më shpejt, në mënyrë që Parlamenti Evropian ta përmbyllë këtë proces, sepse është një çështje shumë e rëndësishme dhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm
në rrugën drejt BE-së. Ju, edhe një herë, keni mbështetjen tonë të plotë”. Në lidhje me situatën politike, ai sugjeroi zgjidhjen në Kuvend.
Vlerësimi i BE për situatën politike
“Puna parlamentare e opozitës nuk i përmbush standardet e institucioneve demokratike të Bashkimit Evropian, e cila duhet të aktivizohet nga dy parime themelore: respektimi i Kushtetutës dhe transparenca në frymën evropiane. Shteti ligjor, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është një element kyç për funksionimin e demokracisë dhe ekonomisë, sikurse edhe për avancimin e procesit evropian”, vlerësoi Fule.
Topalli: Vizat do liberalizohen edhe pse opozita vazhdon bojkotin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilëson një ndër momentet historike dorëzimin e pyetësorit për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë si anëtare në BE. Kryeparlamentarja ndërkohë ka ftuar PS-në për të qenë bashkëpunuese në çdo reformë. “Padyshim që mungesa e bashkëpunimit të opozitës nuk e ndihmon procesin. Mungesa e bashkëpunimit është jashtë kohës, jashtë vendit, meqenëse shoqëria shqiptare në 96 për qind të saj kërkon integrimin. Por ne do e realizojmë liberalizimin e vizave. Unë jam e bindur. është punuar fort. Kemi plotësuar të gjitha detyrimet. Unë shfrytëzoj rastin për ta ftuar Partinë Socialiste, për të qenë bashkëpunuese në çdo ligj, në çdo reformë që ne vazhdojmë të kemi në Parlament”, tha Topalli. Sipas saj “në këto ditë, çdo orë është vendimtare për liberalizimin e vizave. Natyrisht ne do të bëjmë çdo gjë për të rikuperuar kërcënimin që i është bërë nga bojkoti dhe kërcënimin që i është bërë nga mospjesëmarrja tërësore në të gjitha punimet parlamentare, si në komisione, ashtu edhe në aktivitete të tjera të punës së Parlamentit. Por unë e shoh me optimizëm. Liberalizimi i vizave do të bëhet për shqiptarët. Ndaj dhe unë i ftoj që të fillojnë konsultimet për Kodin, por të jenë bashkëpunues në çdo reformë. Jemi në momentin vendimtar, kur komuniteti ndërkombëtar dhe Evropa po shikojnë sesa opozita po bashkëpunon në Parlament për çuarjen përpara të reformave të tjera. Liberalizimi i vizave do të bëhet. Askush nuk duhet të guxojë që të pengojë këtë proces”.
KE: Vizat, shpejt një vendim pozitiv
BLEDAR HOTI
Komisioni Evropian do të marrë një vendim pozitiv për Shqipërinë, për çështjen e liberalizimit të vizave. Një gjë të tillë e ka deklaruar komisionerja e KE-së për çështjet e Brendshme, Malstrom, në takimin e zhvilluar me Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Sipas një njoftimi për shtyp nga Ministria e Brendshme, Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Evropian, si dhe Komisionerja për çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë e Komisionit Evropian, Cecilia Malstrom, vlerësojnë progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe kanë siguruar Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, se për këtë çështje do të ecet shumë shpejt drejt një vendimmarrje pozitive. Ministri Basha ishte i ftuar dje në një seancë dëgjimore në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Evropian, ku paraqiti arritjet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik dhe sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit. Europarlamentarët vlerësuan progresin e Shqipërisë si shumë të kënaqshëm dhe deklaruan mbështetjen e tyre të plotë për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Ministri i Brendshëm zhvilloi edhe një takim të veçantë me Komisioneren për çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë të Komisionit Evropian, Cecilia Malstrom, të cilën e njohu gjithashtu me arritjet në fushën e kontrollit të kufijve, pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumente të sigurta identiteti, dhe me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar. “është impresionuese, është bërë shumë progres. Unë do të finalizoj raportin dhe do ta diskutoj me shtetet anëtare dhe Parlamentin para propozimit. Përfundimisht, çështja e vizave është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe jam e impresionuar nga puna e Qeverisë shqiptare. Kriteret janë transparente, janë të lehta për t’u vlerësuar dhe kjo është mënyra për të ecur përpara. Shpresoj se ne do kemi shumë shpejt një vendimmarrje pozitive”, deklaroi pas takimit komisionerja Malstrom. Ministri Basha, duke falënderuar Malstrom për mbështetjen në këtë proces, u shpreh se “Shqipëria insiston në një vlerësim krejtësisht objektiv dhe të ndershëm të procesit, bazuar mbi kriteret teknike të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”. “Shpresojmë që përkushtimi i Bashkimit Evropian, për të cilin Komisioni Evropian ka dhënë mbështetjen e plotë dhe komisionerja më ka siguruar vazhdimisht për mbështetjen e plotë, të çojë, dhe besoj që ky do të jetë rasti, në një vendimmarrje pa vonesa, siç shpresojnë dhe presin qytetarët shqiptarë”, - deklaroi Basha.
Fratini: Në vjeshtë pa viza
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, tha se në datën 2 qershor pritet të merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, ndërsa udhëtimet pa viza mund të nisin në vjeshtë. “Synimi ynë politik është përfitimi i një propozimi pozitiv nga Komisioni para fundit të muajit maj. Ndërsa etapa e dytë, përbëhet nga shpallja e vendimit, për sa i përket liberalizimit të vizave në Samitin që do të realizohet në Sarajevë, më 2 qershor të këtij viti. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Komisionit Evropian mund të marrë një vendim formal përpara fillimit të verës, për të mundësuar që shtetasit shqiptarë dhe boshnjakë të mund të bëjnë vizitën e parë jashtë territoreve të tyre kombëtare, pa pasur nevojën e pajisjes paraprakisht me viza, në periudhën e vjeshtës të këtij viti”, deklaroi Fratini.