“Qeveria të ulë borxhin, kujdes shpenzimet”
nertila maho
Thirrja për ulje të borxhit publik dhe deficitit buxhetor nga ana e Qeverisë është përsëritur edhe njëherë në një raport të fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. “është e domosdoshme të kontrollohet deficiti buxhetor për vitin 2010, në nivele që garantojnë respektimin e objektivave të përcaktuar në Kuadrin Makroekonomik Afatmesëm, në lidhje me nivelin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik”, thuhet në raport. Në këtë kuadër vazhdon edhe sugjerimi lidhur me shkurtimin e shpenzimeve, veçanërisht i atyre korrente që vlerësohet si instrumenti kryesor në realizimin e këtij objektivi, në kushtet kur ecuria e të ardhurave publike mbetet e paqartë dhe potenciali i rritjes së tyre duket i kufizuar. “Ulja e shpenzimeve publike do të ndikojë në përmirësimin e deficitit të llogarisë korrente në bilancin e pagesave, duke ndikuar pozitivisht në faktorët që përcaktojnë qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit”, vazhdon raporti. Sa i përket situatës ekonomike në vend Banka e Shqipërisë tregohet optimiste për vitit 2010-të, por sidomos për 6 mujorin e dytë. “Zhvillimi ekonomik i vendit gjatë vitit 2010, do të mbështetet prej një situate më të favorshme të ekonomisë ndërkombëtare, e cila do të ofrojë një mjedis më të mirë për investimet e huaja”, thuhet në raport. Nga ana tjetër Banka thekson gjithsesi se kriza greke do të kufizojë këtë ndikim pozitiv.
KREDITIMI
Kreditimi është një tjetër pikë ku ndalet raporti i Këshillit të Mbikëqyrjes. “Sektori bankar duhet të synojë një rigjallërim gradual të kreditimit, duke kontrolluar cilësinë e kredisë. Rigjallërimi i kreditimit është një zhvillim i dëshiruar, por kjo duhet të realizohet mbi bazën e një analize të kujdesshme, duke ndjekur me vëmendje ecurinë e cilësisë së kreditimit”, thotë raporti. Në këtë kuadër nga ana e Bankës së Shqipërisë vlerësohet që përkeqësimi i cilësisë së kredisë do të shënojë vlerën më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 dhe do të stabilizohet në gjysmën e dytë të tij. Një përmirësim gradual por i qëndrueshëm i këtij treguesi, pritet të shfaqet në vitin 2011. Lidhur me kreditimin e bizneseve Banka bën thirrje për një kreditim më të madh të biznesit të vogël dhe të mesëm. “Duke vlerësuar para së gjithash mundësinë e pagesës së kredisë nga ana e kredimarrësve dhe sigurinë e kreditimit, Banka e Shqipërisë gjykon që ekzistojnë mjaft hapësira për bankat tregtare, që në varësi të madhësisë dhe mundësive që kanë, të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë”, thuhet në raport.
gjate 2009
Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit u realizuan në masën 298 miliardë lekë Dërgesat nga emigrantët 780 milionë euro Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit u realizuan në masën 377 miliardë lekë Rezultati financiar i sektorit bankar ishte pozitiv për rreth 3.5 miliardë lekë Kreditë me probleme 10.5 % Veprimtaria e kreditimit 40 % të PBB-së Rritja vjetore e vlerës së depozitave të publikut ishte në nivelin 7.6 %