E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryqet “antifetarë” të VMRO-së

Fejzi HAJDARI*

Cilës fe i takojnë kryqet e VMRO-DPMNE-së? Ortodokse apo katolike? Me siguri asnjërës. Kryqet e VMRO-së kanë dy synime: rritje të rejtingut partiak dhe tensionimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare. Synime të tilla nuk ka asnjëra nga fetë kryesore në botë. Synime të tilla kanë vetëm keqpërdoruesit e feve dhe simboleve fetare.
Kryqet e VMRO-së mund t’i takojnë vetëm ndonjë sekti të shpifur, i cili lirisht mund të quhet “sekti rejtingoman”. Sepse, simbole fetare dhe objekte të kultit fetarë po përdoren për të arritur qëllime që s’kanë të bëjnë me fenë, të mos themi sataniste.
Fatkeqësisht, këto kryqe që si takojnë asnjë feje, po mbijnë si kërpudhat pas shiut.
Që të jetë fatkeqësia më e madhe, me këto simbole fetare po realizohen qëllimet antifetare të autorëve të tyre. Ato po shkaktojnë edhe urrejtje ndëretnike edhe ndërfetare. Kryqi më i ri “mbiu” sipër Kalasë së Shkupit. Pa prit dhe pa kujtuar, siç thotë fjala popullore. çka po dëshmon me këtë Gruevski? Atë që po e shohim të gjithë. Se nuk e ka ndërmend të ndalojë aksionin për mbjellje të Maqedonisë me “Kryqe politikë”. “I gjithëfuqishmi” dhe “i plotpushtetshmi” i Ekzekutivit maqedonas Gruevski, s’përfill askënd, kur është në pyetje rejtingu personal, dhe partia e tij VMRO-DPMNE, e cila është bartëse e pushtetit. Së fundmi, ai po realizon me përpikëri fushatën gjegjësisht skemën e “kryqëzimit” të çdo pëllëmbe të territorit të Maqedonisë, nëpërmjet kreut të Kulturës maqedonase (ministres) Kamçevska. Këtij resori ministror, ai në fakt i ka ndarë një buxhet të majmë, që s’e mbanë mend kjo ministri, madje që nga fillimvitet e nëntëdhjeta.
Dhe, përderisa Nikolla Gruevski po realizon një skenar, që në radhë të parë nuk është konform “disponimit” të kancelarive ndërkombëtare, e aq më pak në harmoni me konceptetet e bashkëjetesës, faktori politik shqiptarë po fle syhapur, duke u lutur: “Bëje zot ëndërr”. Sikurse të jenë vëzhgues të ndonjë shoqate joqeveritare në zgjedhje parlamentare. Vëzhgon, pa pasur mundësi të ketë as ndikimin më të vogël në kahjen e ëndrrës, e cila fatkeqësisht është realitet.
Hapat e këtillë të çuditshëm dhe rrezikshëm, Gruevski ka filluar t’i hedhë pikërisht në momentin kur faktori ndërkombëtarë nga ai kërkon një shkallë më të theksuar konstruktiviteti, sidomos në raport me shqiptarët. Por, ai i trimëruar nga rejtingu i tij personal dhe partisë së tij VMRO-DPMNE, po vazhdon me përpjekjet për të shkaktuar tension ndëretnik dhe ndërfetar, i cili do t’i shërbejë për të spostuar (zhvendosur) vëmendjen e opinionit maqedonas nga kontesti i emrit me Greqinë, që është kusht për t’i filluar negociatat për integrim në BE. Dhe me një goditje shkakton dy dëme!. Madje mund të thuhet dy milionë dëme. Sepse, me fushata të tilla, jo vetëm që po shkakton tension, por po e defokuson vëmendjen e qytetarëve nga çështjet thelbësore, siç është zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë, me çka po e rrezikon perspektivën aq të dëshiruar euroatlantike të dy milionë qytetarëve. Ndërkohë, i gjithë kabineti kryeministror, pa dallim, në majë të gjuhës ka pohimet e stërpërsëritura, madje tanimë edhe bajate, se “perspektiva e Maqedonisë” është pikërisht në integrimin në strukturat euroatlantike. Ta pohosh një gjë të tillë dhe të veprosh në kundërshtim me këtë logjikë, është e njëllojtë sikur të tallesh me të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të cilët me padurim presin integrimin e shtetit në mekanizmat vendosës euroatlantikë.
Habit indiferenca dhe inferioriteti i politikës shqiptare, e cila sillet sikur s’po ndodhë asgjë.

*(Autori eshte analist dhe botues e Gaztes LAJM-Shkup)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›