E Diel, 1 Nëntor 2026

ASD: Në 2009 depozitat e siguruara arritën 96%



Në fund të 2009 rreth 96% e depozitave në sistemin bankar shqiptar janë të mbuluara plotësisht, nga skema e sigurimeve. Këtë e konfirmoi drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave Silvana Sejko, dje gjatë prezantimit të raportit vjetor para Komisionit të Ekonomisë. Sipas raportit masat e autoriteteve shqiptare, përgjegjëse në rrjetin e sigurisë dhe mbikëqyrjes financiare dhe bankare, kanë forcuar besimin e publikut ndaj sistemit bankar, me gjithë krizën ekonomiko-financiare botërore. “Referuar ecurisë së depozitave të individëve për periudhën njëvjeçare dhjetor 2008-dhjetor 2009, vërehet një rritje e tyre prej 12%, ndërsa depozitat e siguruara u rritën me 11.7%”, u shpreh Sejko. Ajo theksoi se një vendim mjaft i rëndësishëm ka qenë ai që miratoi Kuvendi lidhur me rritjen e shumës së kompensimit për depozitën e siguruar në vlerën 25 milion lekë për çdo depozitues në çdo bankë të siguruar, duke eliminuar aplikimin e “co-insurance”(bashkë-sigurimin)dhe duke mundësuar kompensim të plotë të depozitës deri në shumën e përcaktuar në ligj. Sipas drejtoreshës së ASD veprimtaria e institucionit është drejtuar sidomos drejt informimit të publikut dhe një objektiv i rëndësishëm kanë qenë emigrantët. “Qytetarët shqiptarë emigrante të cilët sjellin kursime të konsiderueshme në Atdhe janë vlerësuar nga ASD si një prej grupeve të interesit drejtpërsëdrejti të lidhur me çështje të sigurimit të depozitave që përfitojnë nga skema jonë. Agjencia gjatë vitit 2009 u përpoq që t’i bënte të njohur këtij grupi skemën e sigurimit të depozitave si dhe ndryshimet e fundit ligjore”, u shpreh Sejko.

Në raportin e ADS

Gjatë 2009-ës depozitat e klientëve +6.6% Depozitat njëvjeçare të individëve +12% Depozitat e siguruara +11.7% Niveli i depozitave të siguruara 96% Shuma e kompensimit për dep. e siguruar 25 milionë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›