Blanko bën gati listën e largimeve te Dinamo
Luis Manuel Blanko, kryeseleksioneri i skuadrës për në Champions League, pasi ka qëndruar për dhjetë ditë në Tiranë, të hënën në mëngjes është kthyer në Argjentinë. Sipas burimeve pranë presidencës dinamovite, Blanko do të kthehet në Tiranë më 1 qershor dhe do të sjellë me vete dhe 4-5 futbollistë, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës për në Champions League. Nga drejtuesit e Dinamos nuk bëhen të ditur rolet ku do të përforcohet kjo skuadër. Vetëm një gjë dihet, që blutë kanë kërkuar qendërmbrojtës, mesfushor dhe sulmues goli. Mirëpo nisur nga fakti që dinamovitët kanë një numër të madh të huajsh, jo pak, por gjashtë, pritet të ketë dhe largime për t’i hapur rrugë atyre që do të vijnë. Të paktën deri më tani nga të huajt është i sigurt Diob, i cili është nën kontratë me dinamovitët deri më 2012. Por mund të quhet i sigurt dhe serbi Putinçani, për të cilin dhe Blanko, pasi e ka parë në ndeshjen me Vllazninë, e pëlqeu. Madje e futi në listën e atyre futbollistëve, me të cilët po të punohet fizikisht i fiton. Ndërkaq ata që mund të largohen duket se do të jenë argjentinasit. Aq më tepër që Nikolas Delmontes, Rafael Sozës dhe Lukas Malakarnes i mbaron huazimi nga skuadrat prej të cilave kanë ardhur.