Berisha e Meta: Rriten shanset për Ballkanin Perëndimor
Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Ilir Meta, përshëndetën dje referendumin irlandez për Traktatin e Lisbonës. Në vlerësimin e Kryeministrit Berisha kjo është një ngjarje e madhe dhe historike jo vetëm për popullin e Irlandës, por për të gjithë popujt e vendeve anëtare të BE dhe të vendeve të tjera, si Shqipëria, që aspirojnë për anëtarësimin në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer të kombeve të tyre. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, vota pro e qytetarëve të Irlandës, është një inkurajim i madh për shqiptarët dhe qeverinë shqiptare, për të proceduar me reforma të thella dhe të gjithanshme, për arritjen e standardeve për integrimin e vendit në BE. Këtë vlerësim Kryeministri Berisha ia ka shprehur homologut të tij irlandez, Brian Cowen, nëpërmjet një mesazhi urimi. Ndër të tjera, Berisha shprehet se "kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare t‘ju shpreh juve dhe qeverisë suaj përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për votën plebishitare, me anë të së cilës qytetarët e Irlandës miratuan në referendum Traktatin e Lisbonës, në një demonstrim spektakolar të përkrahjes dhe mbështetjes që ata i japin procesit të reformimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të një Bashkimi Europian gjithnjë e më solid, efikas e më pranë nevojave të qytetarit". Berisha thekson më tej se "kjo ditë e madhe për vendin tuaj shënon njëkohësisht një fitore historike për mbarë Europën, pasi ajo i hap rrugën vazhdimit të procesit jetik të reformimit e modernizimit të mëtejshëm të BE-së, për të përballuar sfidat e shekullit të 21-të ". Por, shton Kryeministri në mesazhin tij drejtuar homologut irlandez, "me votën e tyre të lirë, kombi mik irlandez dërgoi gjithashtu një mesazh të qartë kundër euroskepticizmit, duke i dhënë një hov të ri ëndrrës dhe përpjekjeve të vendit tim, Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë për rikthim e ribashkim me familjen europiane të vlerave të përbashkëta. Për këtë mesash shqiptarët ju mbeten përherë mirënjohës". Sakaq, zëvendëskryeministri Ilir Meta nëpërmjet një konference për shtyp vlerësoi referendumin e zhvilluar në Irlandë. Meta theksoi se "qeveria shqiptare përshëndet rezultatin pozitiv dalë nga referendumi i qytetarëve irlandezë mbi Traktatin e Lisbonës. Ky është një lajm i shkëlqyer për Bashkimin Europian dhe një zhvillim pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor". Implementimi i Traktatit të Lisbonës, konstatoi Meta, do të sjellë një epokë të re me reformimin e thellë institucional dhe strukturor të BE-së, si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zgjerimin e tij të mëtejshëm. Shqipëria mirëpret hyrjen sa më shpejt të Traktatit në fuqi dhe është e bindur se përqasja e Bashkimit Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë më konkrete dhe më e unifikuar për sa i përket aspiratës së përbashkët integruese. Në lidhje me pyetjen se a do të ratifikohet traktati i Lisbonës edhe nga Çekia dhe Polonia, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, është shprehur se "fakti që Presidenti i Çekisë viziton Shqipërinë, tregon edhe një vëmendje të këtij vendi ndaj Shqipërisë në mënyrë të veçantë, por edhe ndaj kësaj pjese të Ballkanit. Ne shpresojmë që edhe Çekia dhe Polonia të përfundojnë të gjitha procedurat sa më shpejt".