E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Rama ironizojnë njëri-tjetrin

Megjithëse në të njëjtin sallon, dy liderët kanë mbajtur fjalimet e tyre, por nuk kanë shtrënguar duart, të paktën publikisht. 

Gjatë fjalimeve të tyre nuk kanë munguar edhe ironitë. Kryeministri Berisha shprehu falënderimet më të thella për Fondacionin "Friedrich Ebert" , në emër të qeverisë dhe të Partisë Demokratike, në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të tij ne Shqipëri. 

Ai  vlerësoi bashkëpunimin me këtë Fondacion dhe kontributin e pashlyer të tij në mbështetjen dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe të Shqipërisë, përgjatë viteve të pluralizmit shqiptar. Ky bashkëpunim, theksoi Kryeministri, është konfiguruar në fushat më të rëndësishme. Më tej, Kryeministri theksoi faktin se tashmë ky Fondacion është i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë drejt integrimit në BE, duke siguruar se ky është projekti madhor i Shqipërisë. “Rruga drejt integrimit nuk është e lehtë, por jemi të sigurt se do t’ia dalim mbanë  për ta realizuar këtë projekt, me ndihmën e miqve tanë, pra Shqipëria, me një proces plotësisht të merituar, të bashkohet me Bashkimin Evropian, ashtu siç shqiptarët mendojnë dhe parashikojnë”, u shpreh Berisha.

Por më tej, Rama ironizoi deklarimet e Berishës për zhvillimin ekonomik të vendit. “Shpresojmë që kriza ekonomike të mos ndikojë në financimin që shteti gjerman i bën këtij fondacioni se as nuk bëjmë dot gjë për ta ndihmuar, në rast të shkurtimi të fondeve. E thashë se kam dhe hall se mos shkon në Berlin fjala e Saliut se jemi ekonomia e dytë në botë pas Gjermanisë dhe pastaj do ishte punë dreqi”, tha Rama.

Përgjigjja e kryeministrit, duke iu drejtuar të ftuarve ishte “Nuk do të shkojë sepse ke zëvendësuar fjalimet me editoriale. Ju lexoi editorialin e radhës”. Më pas Rama u përgjigj: "E ka si në Parlament ky, flet pa radhë."

Më tej, Rama ka zgjedhur të flasë edhe për kursin e ri politik të Partisë Socialiste. “Me këtë rast i njohëm miqtë e ardhur sot në Tiranë me përmbajtjen e kursit tonë të ri politik; me qëndrimin tonë pa asnjë ekuivok si alternativë e re për Shqipërinë Europiane; me nismat tona të reja parlamentare për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe ndryshimet e domosdoshme të rregullave të procedurës parlamentare, në funksion të rivendosjes së normalitetit në Kuvendin e Shqipërisë edhe në dritën e Raportit të Progresit e të deklaratës kuptimplotë të baroneshës Ashton e të Komisionerit Fule; si edhe me gatishmërinë që të bëhemi pjesë e një procesi demokratik e transparent parlamentar, që t’i kthejë votimet me 3/5-at nga arnime kodesh e ligjesh për të bërë shkel e shko detyrat e shtëpisë, në jetësim të një vizioni kombëtar e evropian për shtetin shqiptar”, ka thënë ai. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-15 08:25
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›