Eurodeputeti: Dialogu pozitë-opozitë, kusht për integrimin
Përfaqësuesi i qendrës së djathtë në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman Jorgo Haximarkaqi, ka kërkuar nga politika shqiptare më shumë bashkëpunim për plotësimin e standardeve të vendit tonë në drejtim të integrimit në Bashkimin Europian. “Opozita shqiptare në këto momente duhet të kontribuojë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, - është shprehur ai gjatë një vizite në qytetin e Gjirokastrës, së bashku me eurodeputetin nga Luksemburgu, Frank Angel.
Zoti Haximarkaqi, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri?
Së bashku me kolegun tim nga Luksemburgu, Frang Angel, eurodeputet i Partisë Popullore në Parlamentin Europian, ne ndodhemi në Shqipëri me ftesë të nënkryetarit të Parlamentit shqiptar, Vangjel Tavo. Për mua kjo është hera e parë që vizitoj vendin tuaj, ndërkohë që kolegu im Angel ka qenë i pranishëm edhe disa herë të tjera. Por mund të them se për mua Shqipëria është mjaft e njohur, pasi kam lobuar në Parlamentin Europian për perspektivën europiane të vendit tuaj, heqjen e regjimit të vizave etj. Bashkë me eurodeputetin Angel jemi këtu përsa i përket çështjeve apo procesit të Shqipërisë në lidhje me Bashkimin Europian dhe bisedave të ndryshme në këtë drejtim. Mund të them se ndihem mjaft i kënaqur që po vizitoj Shqipërinë, një vend në të cilin prej kohësh kam dashur të jem i pranishëm.
Si do t’i vlerësonit hapat e vendit tonë në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Europian?
Kujtoj që në këtë drejtim janë 12 kushte të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushë dhe unë jam shumë pozitiv dhe me plot shpresë që këto do të realizohen nga ana e palës shqiptare. Duke patur parasysh që Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe njëkohësisht tashmë duket që Bashkimi Europian dhe vendet e tij kanë një krizë të përgjithshme, prania e Shqipërisë duke u bërë pjesë e kësaj familjeje do të ndihmonte që këto kriza të reduktoheshin. Vende të tilla si Shqipëria, Kosova apo edhe vende të tjera, të cilat i përkasin këtij rajoni, e kanë të nevojshme që të përfshihen në këtë familje të madhe të Bashkimit Europian, por që duhet të plotësojnë disa kushte, disa standarde.
Cili është opinioni juaj për zhvillimet aktuale politike në vendin tonë?
Duke parë situatën që po zhvillohet në Shqipëri, shpresoj dhe besoj që qeveria dhe shoqëria shqiptare dëshirojnë të japin kontributin e tyre përsa i përket plotësimit të këtyre 12 kushteve. Por duke u nisur edhe nga eksperienca që unë kam me procesin integrues të disa vende të tjera të rajonit, mendoj se një rol të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së duhet të luajë edhe opozita. Ajo që është e rëndësishme është që një vend të ketë një funksionim demokratik, kuptohet që ky funksionim nuk duket edhe kaq demokratik në marrëdhëniet pozitë-opozitë këtu në Shqipëri. Kujtoj se bashkëpunimi mes forcave politike është një prej pikave më të rëndësishme mes 12 kushteve për integrimin e vendit tuaj në strukturat e BE-së.