Berisha e kthen 20 shkurtin në ditë urrejtje për opozitën: Edvin Rama ka mbledhur gjithë bijtë e Bllokut
Kryeministri Sali Berisha përpara deputetëve pa zë të partisë së tij ngriti një pikëpyetje: A thua pse na ra mbi kokë ne regjimi i Enver Hoxhës? E bëri këtë pyetje disa herë. E më pas, pasi nuk e shpjegoi se përse na ra mbi kokë Hoxha, duket se u dha përgjigje shqiptarëve se përse nuk po na ikën akoma nga koka Hoxha. Ai sulmoi ashpër opozitën, duke e fajësuar për gjithçka të keqe në këtë vend.
Kryeministri Sali Berisha duke folur përpara deputetëve të tij, tha se nga diktatura komuniste duhen nxjerrë mësime. Ai pyeti në mënyrë retorike mesa duket se përse shqiptarëve u ra në shpinë ai regjim diktatorial. 20 shkurti është apel për çdo shqiptar për të nderuar ata qindra- mjiëra të rinj, burra e gra, të cilët sakrifikuan rininë, sakrifikuan jetën e tyre për vlerat që ne sot u besojmë, për vlerat që ne sot zhvillojmë, për vlerat që ne sot ndërtojmë. 20 shkurti është nderim për të gjithë ata shqiptarë që përjetuan barbarinë e një sistemi sllavërie moderne.
20 shkurti ishte betejë me regjimin më të egër diktatorial që kishte njohur Europa. Ajo ishte një betejë me regjimin që nga bunkeri projektonte krime, mjerim, vrasje, izolim. 20 shkurti është moment reflektimi të thellë për çdo shqiptar. Çndodhi me ne? Pse mbi ne? Pse mbi ne u vendos për 43 vjet me radhë regjimi më i egër, më barbar, më çnjerëzor se në çdo komb tjetër të Europës? Regjimi që shndërroi Shqipërinë në trevën e eksperimenteve më çnjerëzore dhe tragjike, të ndalimit të Zotit dhe të drejtave të njeriut me Kushtetutë, të ndalimit të pronës private me Kushtetutë.
Është në detyrën tonë që të nxjerrim mësime. Asgjë më të rëndësishme nuk ka sesa mësimet. Në pranverën e vitit 1991, kryeministra, kryetarë partish të qendrës së djathtë evropiane do e cilësonin Enver Hoxhën si Hitlerin e pasluftës. Ky krahasim nuk ishte as emocional dhe as rastësor. Ky krahasim bazohej mbi faktin se njëlloj si Adolf Hitleri shfarosi kombet e tjera, po kështu diktatori shqiptar mbi baza klasore dhe ideologjike ndërtoi shtypjen dhe persekutimin më të egër. Organizoi mbi popullin e tij mjerimin më të thellë, tha Berisha.
Kryeministri më pas sulmoi ashpër opozitën shqiptare. Ai tha se ajo është pasuese e regjimit komunist. Qëndrimi ndaj regjimit të Hoxhës ende nuk ka marrë përmasat që meriton. Këtu çfarë ndodh. Këtu praktikat e kohëve të shkuara vijnë jo si reminishencë e së shkuarës, por si platformë për të bllokuar rrugët e këtij vendi. Gjatë diktaturës gjithçka projektohej në Bllokun famëzi, në bunkerin e tij.
Në një moment kritik Partia Demokratike ia doli të përmbante zemërimin e protestuesve më 20 shkurt, në përputhje me qëndrimet e saj paqësore. Sot pas 20 vjetësh, Blloku është kthyer në lagjen e haresë së qytetit. Kurse janë mbledhur përsëri çunat e bijtë e Bllokut. Historia duhet parë drejt në sy. Ky rikthim i bijve në krye të Partisë Socialiste, përbën vepër kryekëput të Edvin Ramës. I mblodhi ku ishin e ku nuk ishin. Madje i solli edhe nga emigracioni. Cili është qëndrimi? Qëndrimi është se dy vite me radhë përdorën pushtetin e dhënë nga qytetarët për të mbështetur integrimin, për të bllokuar procesin e integrimit. Pas dy vitesh ku qeveria bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje e për të bashkëpunuar, e bëjnë këtë se kanë psikologjinë e etërve, pra pas dy vitesh bënë pikë për pikë atë që u ofruam. Shqiptarët u dhanë përgjigjen që merituan më 8 maj. Sërish mbetemi të hapur për reforma, por asgjë jashtë kuadrit kushtetues të këtij vendi.
Uroj që udhëheqja aktuale e opozitës të çlirohet nga psikologjia e mentaliteti i etërve, psikologji që nuk ka e nuk do ketë asnjë të ardhme.