E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Elvira Dones: Që më 21 janar dialogu i Berishës me shqiptarët ka dhënë shpirt

Share

Shkrimtarja e njohur, Elvira Dones ndan me lexuesit e gazetës Tema opinionin e saj për situatën aktuale politike në vend, për ngjarjen e 21 janarit 2011, për gjendjen e grave shqiptare, etj. Një tablo e Shqipërisë ashtu siç i shfaqet gazetares e shkrimtares Elvira Dones përtej oqeanit, ku ndjen dhimbje, pakënaqësi,revoltë por dhe shpresë se Shqipëria do të bëhet një ditë…..

Bisedoi: Blerina Gjoka

Zonja Dones, duke ju kërkuar mirëkuptim që kjo intervistë nuk do ti referohet letërsisë, por politikës, aktualitetit shqiptar, ngjarjeve, fenomeneve dhe problematikave të shoqërisë shqiptare,  së pari do donim të dinim sa e lidhur jeni ju me Shqipërinë? Për shkak të të banuarit përtej oqeanit dhe aktiviteteve tuaja të përditshme, si e gjeni veten në raport me të mirat e të këqijat që ndodhin në atdheun tënd?

Unë përjetoj atë që ndodh në Shqipëri me po aq vëmendje, merak, kritikë, mall, shqetësim sa ç’e përjetojnë shumë njerëz të diasporës, besoj, kush më pak e kush më shumë. Kështu ka qenë në vite, e kështu mbetet. Përpara se të rrëfej mbi toka e ngjarje të largëta – ku jeta më hodhi a ku unë hodha veten – këmbëngul për të kuptuar me aq sa mundem vendin nga i cili më vijnë rrënjët, gjuha, identiteti. Çfarë e mundon këtë tokën amë; pse kaq e gjatë kjo lëngatë; e si dilet nga ky qorrsokak. Por do duhej një varg tespijesh tejet i gjatë për t’i mbajtur gjithë pyetjet, në këtë çast.

Si ngjan Shqipëria e vitit 2012 në sytë tuaj? Një vështrim kritik?!  Dashamirës?!  Dhe pse jo, një vështrim ëndërrues, siç do të doje të ishte?!

Shqipërinë e 2012-ës e shoh ashtu si na paraqitet para syve: të mardhur; të uritur; të korruptuar e të korruptueshme; të mashtruar; të egërsuar; të vobektë; të tallur; të vrarë në dinjitet e shpresa; të lënë pa shokë. Them të lënë pa shokë jo sepse dashamirësit e Shqipërisë mungojnë a kanë munguar, por sepse dashamirësit, e tok me ta edhe faktorët ndërkombëtarë  të cilët, siç është e natyrshme, më shumë se dashamirës janë pragmatikë po lodhen, u lodhën të gjithë bashkë të merren me këtë adoleshent të pamundur të Europës.

Shumë halle e probleme të pazgjidhura ka Shqipëria në këtë 2012. Më i madhi ndër ta është përpëlitja e kësaj demokracie të brishtë, e cila sot është shfytyruar në një cratos(pushtet), pa konceptin demos(popull), se këtë të fundit e ka humbur udhës.

E sa për vështrimin ëndërrues s’do mend që e kam, ndryshe nuk do bënim këtë bisedë. Por ky është dimri i pakënaqësisë së madhe i të gjithë shqiptarëve, e gjuha shkon vetiu aty ku dhemb dhëmbi.

Duke pasur parasysh që përveç shkrimtares brenda jush është dhe dimensioni i gazetares dhe i gruas sociale të angazhuar gjithashtu, nuk do të mund të shmangnim një pyetje konkrete mbi një ngjarje konkrete me të cilën prej një viti duket se Shqipëria është lidhur pazgjithshmërisht. Bëhet fjalë për 21 janarin 2011. Sipas jush çfarë ndodhi atë ditë, çfarë ndryshoi për Shqipërinë nga vrasjet dhe nga sjellja e politikës pas kësaj?

Në 21 janar të 2011-ës shteti shqiptar iu përgjigj gurëve e drunjve të fukarenjve që kishin të gjitha arsyet e kësaj bote të protestonin, me plumba. Që nga ai çast – ndonëse zoti Sali Berisha është ende në pushtet – dialogu mes tij dhe popullit shqiptar ka dhënë shpirt. Mes kokëpalarëve me stilolapsa-pistoleta xhepave, gazetarëve puçistë e opozitës nga njëra anë, dhe qeverisë në fuqi nga ana tjetër, nuk ka si të ketë më bashkëjetesë.

Jeta politike e Shqipërisë në këta 20 vjet ka kaluar nga kriza në krizë, nga një gjendje urgjence në tjetrën, e kjo nuk ka qenë produkt e përgjegjësi ekskluzive e një të vetmi faktori politik, në të kundërt: ky pilaf u gatua nga e djathta dhe e majta bashkë në vite bërje-zhbërjesh; pingpongjesh aleancash të zymta; shantazhesh të ndërsjella; sabotimesh të qëllimeve mirëbërëse e keqbërëse bashkë, e kështu me radhë.

Por mbas një viti që nga 21 janari, kryeministri Sali Berisha e qeveria e tij, në shpërfillje të plotë të provave balistike, ekspertizës amerikane e shqetësimit ndërkombëtar, në fytyrë të gjithë kësaj e mu karshi popullit, vijojnë me haluçinacionin e puçeve dhe konspiracionit. Nuk e di si mund të konsiderohet kjo qeveria e dobishme e shqiptarëve sot.

Si i shikon Elvira Dones liderët e politikës shqiptare, çfarë përfaqëson për ju Sali Berisha, po Edi Rama? Nëse do ti kishit personazhe të librave tuaj si do ti përshkruanit ata, sa realë apo groteskë ngjajnë në sytë e një shkrimtareje?

Politikanët janë kafshë politike, dhe kjo është fasada, imazhi që duan, duhet a lypset të projektojnë tek populli. Por janë kafshë njerëzore, mbi të gjitha. Kjo më intereson, personalisht. Cili është ky njeri? Sa i zbërthyeshëm është për t’i mbërritur në unë-in, që aq shumë mbron e kultivon.

Ndonjë personazh i politikës është grotesk, ose bëhet grotesk e shpesh bëhet edhe më keq se aq, por kjo nuk e përjashton praninë e aftësive të tjera, të padiskutueshme në të njëjtin individ. Ndryshe ai individ, cilidoqoftë, nuk do të kish hipur aq lart e nuk do të kishte mundur të qëndronte në kolltuk aq gjatë.

Por duke u kthyer tek thelbi i pyetjes – sepse ju veçuat dy emra, Berisha e Rama, janë ata dy aktorët kryesorë të këtij momenti politik.

Presidenti Berisha ka patur gjithë kohën ta shprehë veten, dhe e ka shprehur fort e qartë. Na ka lënë kohë e mundësi që të shohim konceptin e tij të menaxhimit të shtetit. Edi Ramën duhet ende ta shohim në rolin e ri atë ditë që do të jetë në rolin e kreut të ekzekutivit.

Deri më sot e kemi parë në rolin e kryebashkiakut e kreut të opozitës. Se si do të sillet Edi Rama nesër, kjo besoj se do të jetë në vëmendjen e shumë prej nesh, sepse kështu lypset të jetë. Por unë nuk besoj në njeriun e Providencës, e uroj që as shqiptarët të mos besojnë më.

Shumë mendojnë se problemi i vërtetë i këtij vendi nuk janë politikbërësit, por mentaliteti që i voton ata… në fund të fundit shprehja që popujt meritojnë qeveritë që kanë a do ti shkonte kësisoj edhe popullit shqiptar? 

Nëse popujt i meritojnë qeveritë që kanë: Po. Edhe jo. Në radhë të parë jo, sepse asnjë popull nuk meriton dhjetëvjeçarë regjimesh totalitare, tiranike, fashiste a parastaliniste: nuk e meritonin një regjim totalitar shqiptarët, por as bullgarët a libikët dikur; ashtu si sot nuk e kanë për hak të kenë regjime të tilla popujt sirianë e nordkoreanë, sa për të dhënë ndonjë shembull.

Popujt meritojnë qeveritë që kanë qëndron në këmbë, kur është fjala për një vend që funksionon sipas rregullave të demokracisë – por me një kusht ama, që të mos përqendrohen tepër parà në shumë pak duar, sepse kjo zbraz procesin demokratik nga thelbi i vet, dhe e zbraz shumë shpejt.

Çështja ë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›