E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e ktheu ligjin e spiunëve në pazar përjashtimesh me socialistët

Lustracioni, kryeministri përjashtoi sekretarët e parë, ministrat dhe sekretarët e organizatave bazë
Edhe dita e djeshme ka qenë ditë intensive nga ana e mazhorancës në vijim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar  përsa i përket domosdoshmërisë së ligjit të lustracionit. Liderët e partive të djathta kanë qenë në unison kundër vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e ligjit të dosjeve. Kryeministri i vendit ka vazhduar teorinë e persekucionit dhe persekutorëve, ku këta të fundit duhet të marrin dënimin për krimet monstruoze që kanë kryer gjatë së kaluarës së tyre. Ligji i lustracionit i miratuar nga mazhoranca në fakt ka qenë një ligj i destinuar për të dështuar dhe qëllimisht u miratua në momentet e fundit pa u konsultuar me palët dhe me Këshillin e Europës. Ky ligj u kthye në një pazar të rëndomtë duke përjashtuar personat që  nuk i interesonin Berishës të prekeshin nga ky ligj dhe duke përjashtuar persona të cilët  i interesonin qëllimeve diabolike të kryeministrit të vendit. Në mënyrë të qëllimshme u përjashtuan sekretarët e parë nga ky ligj, për të mos të futur Gramoz Ruçin në listën e njerëzve që prekeshin nga ligji dhe duke futur persona të cilët në shkallë hierarkike ishin në nivele shumë më të ulëta përfaqësimi në kupolën e krimit shtetëror të diktaturës. Nëse ka pasur persona të cilët kanë qenë në krye të luftës së klasave dhe të persekutimeve të armikut të klasës kanë qenë dhe sekretarët e organizatave bazë të partisë. Organizatat bazë të partisë kanë shërbyer si hapi fillestar për dënimin e elementëve antiparti për ti kaluar më pas në duart e hetuesisë. Kanë qenë këto organizata dhe sekretarët e tyre që kanë dhënë viston për dënimet ndaj elementëve të rrezikshëm që rrezikonin regjimin komunist. Vetë deputeti demokrat Biberaj në një intervistë të dhënë para ca kohësh ka deklaruar se ka qenë pro ligji të lustracionit që përfshinte edhe organizatat bazë apo sekretarët e partive të këtyre organizatave. Kam qenë dakord të hapen dosjet për përfaqësuesit e medias, duhet bërë transparencë nuk kam qenë dakord të përjashtohet partia për të zbrit tek persekutorët e vërtetë. Po të kujtojmë historinë e pushkatimit të Hysen Blloshmit. Kam parë procesverbalin dhe vendimet  janë marrë në zyrën e sekretarit të partisë së asaj kohe, ndërkohë që ka pasur dhe zëra që nuk kanë qenë dakord. Struktura e Partisë së Punës së Shqipërisë duhet të ishte e penalizuar, ka thënë Biberaj në këtë prononcim. Pra siç e kemi paralajmëruar edhe në shkrimet pararendëse në gazetë, kryeministri Berisha asnjëherë nuk tregoi interesin dhe seriozitetin për të kaluar një ligj që dënonte krimet e komunizmit. Ai nëpërmjet ligjit aktual bëri Pazar me ministrat e diktaturës, ku përjashtoi Gjinushin dhe Ruçin, bëri Pazar me komitetin qendror të Rinisë dhe Partisë dhe së fundi mbylli sytë para krimeve që kanë bërë vetë sekretarët e partisë së organizatave. Kryeministri Berisha e ktheu këtë ligj në një balonë të çarë që i frynte era nga të katër anët. Ku ligji i dosjeve, në vend të një ligji përfshirës të elementëve realë që ndihmuan diktaturën dhe komponentëve që u shndërruan në persekutorët realë, e shndërroi këtë ligj në një rrjetë të ccarë që dolën që nga sekretarët e organizatave bazë deri te sekretarët e parë të cilët në vitet 92 i kapte ligji i gjenocidit i krijuar nga Sali Berisha. Ligji i lustracionit u krijua si alibi për Sali Berishën për të fituar kredon e humbur para shtresës së të përndjekurve dhe pronarëve, të cilët në tre vjet e gjysmë i gënjeu me premtime boshe por që nuk i realizoi kurrë.

Email This Klikime: 36

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›