Presidenti Topi pret Ministrin e Shtetit në Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Koker.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Koker me të cilin pati një bisedë të ngrohtë e miqësore. Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi vlerësoi në këtë takim me z. Koker bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka dhe po zhvillon gjithnjë e më shumë me Mbretërinë e Bashkuar, shtet ky, - theksoi Kryetari i Shtetit,
- që për Shqipërinë është jo vetëm një vend mik, por edhe një aleate e fuqishme dhe një nga partneret më të rëndësishëm në kuadrin dypalësh dhe atë të integrimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike. Presidenti shprehu interesimin e shtetit shqiptar për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm mes dy vendeve në të gjitha fushat, por sidomos në aspektin e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Në këtë pikë Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Misionit PAMECA 3 për rritjen e nivelit të profesionalizmit të policisë shqiptare në drejtim të ruajtjes dhe kontrollit të kufijve, sigurisë kombëtare dhe rajonale, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj. Në vijim të bisedës, Presidenti Topi e njohu bashkëbiseduesin me disa prej zhvillimeve të brendshme, duke u përqendruar në ecurinë e reformave të rëndësishme. Presidenti Topi vuri në dukje se realizimi i suksesshëm i reformave kushtetuese, zgjedhore, atyre në fushën e rendit, në sistemin ekonomik, për konsolidimin e shtetit të së drejtës, garantimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, që shikohen dhe konsiderohen si domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Britania e Madhe i dha Shqipërisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit, si rikonfirmim i kësaj mbështetjeje, për të cilën z. Koker e siguroi Kreun e shtetit shqiptar që do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të aspiratave integruese të vendit tonë. Ministri i shtetit në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, z. Vernon Koker pasi falenderoi për pritjen, shprehu përgëzimet e tij dhe të qeverisë britanike për arritjet dhe sukseset e Shqipërisë në rrugën e saj të konsolidimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura kushtetuese dhe integrimit euroatlantik. Z. Koker vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të partneritetit të shkëlqyer dhe bashkëpunimit të frutshëm mes vendeve tona. Shqipëria e ka provuar tashmë se do të jetë një aleate dhe anëtare e denjë e NATOs. Presidenti Topi dhe Ministri i Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar biseduan edhe për situatën në rajon duke ndarë të njëjtin mendim se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të shtetit të ri demokratik e shumëetnik, paqja, siguria dhe qëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor janë rritur e forcuar ndjeshëm duke bërë që vendet e rajonit të projektohen drejt zhvillimit të bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit në familjen e madhe evropiane e strukturat euroatlantike.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1