E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ëndërron të luajë me Totin e Ronaldon

 

Kur ishte te Hamburgu ka luajtur përkrah futbollistëve si Van der Vart apo Nigel De Jong, por ëndrra e Besart Berishës, është që një ditë të luajë përkrah Pelesë, Bekenbauerit, Totit dhe Kristiano Ronaldos. Në një konferencë për shtyp që ka dhënë para medias daneze, sulmuesi i Kombëtares shqiptare është pyetur se cili ishte për të formacioni ideal, në të cilin do të donte të luante. “Ka shumë lojtarë të talentuar dhe është e vështirë të bësh një përzgjedhje – është përgjigjur biondi i AC Horsens – Megjithatë unë nuk e kam problem se të them se cili është formacioni ideal sipas meje: Bufon, Kafu, Bulharuz, Bekenbauer, Roberto Karlo, K.Ronaldo, Toti, Van de Vart, Berisha, Diego Forlan, Pele. E bukur apo jo?”. 23 vjeçari ka shprehur dëshirën për të qëndruar te AC Horsens edhe pasi të përfundojë marrëveshja e huazimit mes Bërnleit (anglezët zotërojnë kartonin e tij) dhe skuadrës daneze. “Dua të luftoj për të fituar një vend titullari. Kam ardhur këtu për të luajtur sa më shumë dhe nëse arrij që të përsëris atë çka kam bërë në të kaluarën, atëherë ndoshta do të doja që të qëndroja këtu”, ka thënë futbollisti. Deklarata e tij është publikuar edhe në uebsajtin e klubit të AC Horsensit dhe fjalët e tij janë pritur me shumë optimizëm nga tifozët e kësaj skuadre, të cilët e kanë cilësuar rikthimin e Berishës si një goditje me vend.  

Formacioni i Berishës

Bufon,
Kafu,
Bulharuz,
Bekenbauer,
Roberto Karlo, K.Ronaldo,
Toti,
Van de Vart,
Berisha,
Diego Forlan,
Pele 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›