Milani shkatërron Bolonjën, fiton Inter
Gola dhe emocione në ditën e parë të fazës së dytë në kampionatin italian të Serisë A. Pas ndeshjeve të luajtura të shtunën, me suksesin e Kivos dhe Juventusit, ditën e djeshme e gjithë vëmendja ka qenë e fokusuar në sfidën e madhe Napoli-Roma. Fitoren e kanë arritur verdhekuqtë, të cilët e kanë mundur Napolin me rezulatin 3-0, në sajë të golave të Mekses dhe Juan gjatë pjesë së parë, dhe goli i Vuçiniç gjatë pjesë së dytë. Napolit i është anulluar një gol i shënuar nga Zalajeta sepse u dyshua për faull me dorë. Një fitore të rëndësishme ka arritur edhe Milani, i cili i ka dhënë fund paraqitjeve pozitive të Bolonjës, me rezultatin 4-1. Kuqezinjtë e Ançelotit kanë shkurtuar kështu distancën nga Juventusi dhe Interi, duke e çuar atë në tre pikë. Lacio është ndalur nga Kaljari në “Olimpiko”. Bardhekaltrit kanë humbur me rezultatin 4-1, pasi ishin në avantazh falë golit të Tomazo Rokit. Por Kaljari ka reagur menjëherë dhe ka kaluar në avantazh më dy gola të shënuar nga Xheda dhe golat e Akuafreskës dhe Matrit. Paraqitja negatve e Lacios është thelluar edhe më shumë pas humbjes së dy penalltive nga Roki dhe Zarate. Milito është rikthyer dhe ka shpëtuar Xhenoan nga humbja kundër Katanias, megjithatë ndeshja ka përfunduar në barazim 1-1. Kriza e Udinezes po shtohet gjithnjë e më shumë dhe kundër Palermos ka arritur një tjetër humbje. Këta të fundit kanë arritur të fitojnë me rezultatin 3-2 falë golave të shënuar nga Simpliço dhe Kavani. Ndërkohë mbrëmë Inter ka mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 Sampdorian. Falë golit të Adrianos ruajnë kreun.